Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, tha të enjten në Shkup se ‘politikanëve të Maqedonisë nuk iu ka sjellë një sugjerim konkret për formimin e Qeverisë’. Ai tha se megjithatë “është e domosdoshme që sa më shpejtë të formohet Qeveria e re e vendit dhe drejtuesit e partive politike parlamentare të tregohen të përgjegjshëm”.
“Jam këtu që t’i dëgjoj politikanët. Më herët nuk kam pasur takime për këtë çështje. Nuk do t’i jap këshilla asnjërës parti se si të veprojë në të ardhmen. Por që të gjithë duhet ta dinë se janë përgjegjës për vendimet që do t’i marrin”, tha Hahn.
Ai tha se Qeveria e re do ta ketë për detyrë ‘vendosjen e Maqedonisë si shtet në binarët e integrimeve’.
“Qeveria e re duhet të ndjekë rrugën euroatlantike. E përsëris se unë realisht nuk kam sjellë asnjë sugjerim konkret për partitë. Por ata duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre dhe të vendosin në të mirë të perspektivës së popullit. Kjo nënkupton se kanë shumë sfida përpara. Pra mendimi ynë është sa më shpejtë të ketë Qeveri aq më mirë”, tha komisioneri i BE-së Johannes Hahn, që mori pjesë në takimin e gjashtë ministror të vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e energjetikës.
Hahn gjatë orëve të pasdites do të realizojë takime me të gjithë përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Maqedonisë si dhe me përfaqësues të sektorit civil për të diskutuar, siç pritet, përpjekjet për formimin e Qeverisë si dhe kthimin e vendit drejt euro- integrimeve euroatlantike.
Njohësit e çështjeve politike thonë se vizita e komisionerit Johannes Hahn është në vazhdën e përafrimit të dallimeve të partive politike për formimin e një Qeverie gjithëpërfshirëse, por pa figura të cilat hetohen nga Prokuroria Speciale Publike.

