Shkruan: Emad MEHMETI
Pas dështimit të referendumit në Maqedoni për ndryshimin e emrit të shtetit, shumëkush do i shpjegojë arsyet pse dhe si ndodhi që shumica e votuesve të jenë të ‘pandjeshëm’ ndaj të ardhmes së vet. Dhe nuk do mungojë shpjegime racionale, si për shembull analizat për listat e fryra zgjedhore me emra fiktiv, që ne zgjedhjet parlamentare e vendore, u mundësonin partive t’i manipulonin ato dhe të merrnin edhe votat e të vdekurve.
Pa dyshim se sa u përket votuesve shqiptarë, dy janë arsyet kryesorë për daljen e dobët të tyre në referendum: rinia që ka braktisur vendlindjen si dhe ecja e lodhshme e shqiptarëve të këtushëm drejtë perëndimit, me në krye BDI-në dhe Ali Ahmetin. Pra të kryesuar nga ata që vlerat properëndimore i përdorën vetëm për të ndërtuar shtet partiak, për ta manipuluar popullin e vet dhe për t’i fsheh keqpërdorimet që bënin.
Pra, guximi dhe mençuria rinore shqiptare – pa të cilët një shoqëri nuk mund të ecë përpara – prej moti e ka braktisur Maqedoninë dhe tani më jeton në BE dhe NATO. Rini e cila tani as që merret me emrin e shtetit të lindjes, i cili ndaj tyre u soll si të ishin të padëshiruar e të tepërt. Rini e rritur duke i dëgjuar thirrjet e rrejshme disadekadëshe të Ali Ahmetit për në NATO dhe BE, e që në të vërtet, duke e përkrahur regjimin antishqiptar të Gruevskit, i solli shqiptarët këtu ku ndodhen sot: në një Maqedoni ku vlerë nuk është as Perëndimi as NATO-ja, por vetëm libreza e BDI-së!
Dështimi i referendumit për emrin e Maqedonisë shpjegon edhe të vërteton se në këto hapësira, u shtua numri i atyre që besojnë se qarqet Perëndimore janë ato që i mbështesin dhe i përkrahin politikanët tanë hajdut e të korruptuar, edhe atë vetëm pse si të tillë janë lehtë të manipulueshëm. Kështu u shtua numri i atyre që shtrojnë pyetjen logjike: si u bë që vlerat perëndimore t’i promovojnë ata që na i vjedhin votat dhe që e plaçkitin popullin!? Dhe si është e mundur që këta hajdut të jenë të besuarit e Evropës demokratike?!
Pa dyshim se tani shumëkush do jep shpjegime pse dështoi Referendumi për emrin e Maqedonisë. Dhe mbase nuk do gabojnë nëse arsyet do i kërkojnë edhe përtej inateve të opozitës maqedonase dhe e thonë të vërtetën se sa u përket shqiptarëve të Maqedonisë, ata janë proevropjanë e pro NATO-së siç kanë qenë gjithmonë, por tani kanë mbetur pa rinin e vet. Si dhe të shtojnë edhe pjesën e dhembshme të rrëfimit: shqiptarët e Maqedonisë janë lodhur duke ecur drejtë BE-së dhe NATO-s, me në krye Ali Ahmetin dhe të ngjashmit si ai, e të cilët, orientimin properëndimor të shqiptarëve të këtushëm e keqpërdorën për interesa personale dhe për të mbet përjetësisht në pushtet!
Emad Mehmeti