Viteve të fundit shkollat fillore dhe të mesme përballen me mungesë të kuadrit deficitar, respektivisht mungesë të mësimdhënësve për lëndët e matematikës, kimisë dhe fizikës, këtë e konfirmoi për gazetën KOHA edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh). Rezultat i kësaj pa dyshim është mos interesimi i studentëve për të studiuar këto drejtime.
ARSYEJA E IKJES SË TË RINJVE NGA SHKENCA
Si të motivohen të rinjtë dhe cilat masa duhet të merren për motivimin e tyre? Kësaj pyetje MASh ju përgjigj – fillimisht është e nevojshme ngritja e motivimit, interesit dhe dëshirës personale dhe kjo arrihet përmes modernizimit të mësimit. Nga ana tjetër profesori universitar i matematikës si dhe këshilltari i MASH Agim Rushiti theksoi se kategorikisht nuk mund të themi se ka mungesë të e kuadrove të matematikës por sipas tij mungojnë kuadër cilësor të kësaj lënde të cilët do të ishin në gjendje të nxënat teorike gjatë studimeve, të munden në praktikë ti shfrytëzojnë dhe zbatojnë, si dhe ato ti ekuivalentojë në shkathtësi. Rushiti theksoi se MASH po punon që në çdo dokument të tyre strategjik, prioritet të ketë vendosur krijimin e gjitha parakushteve të nevojshme për krijimin e një kuadri cilësor.
“Material i mësimdhënësve është një nga arsyet e mos shprehjes së interesimit për studim të kësaj shkence ekzakte, po ashtu trendi i ikjes së të rinjve për një jetë më të mirë dhe më të sigurt është arsye tjetër”, shtoi Rushiti. Profesori universitar Emin Durmishi sqaroi se numri i ulët në disa drejtime vjen si rezultat i dy arsyeve kryesore numri i madh i universiteteve dhe mos informimi i mjaftueshëm i maturantëve për perspektivën që garantojnë drejtime të caktuara. “Drejtimet profesionale të matematikës janë vërtetë deficitare, kjo sepse nxënësit, si studentë të ardhshëm, janë më pak të informuar për perspektivën që japin këto drejtime në industri, kompani private apo banka”, tha Durmishi. Mirëpo sipas tij në aspektin rajonal ka mundësi që brenda vendit një drejtim i caktuar në një rajon të caktuar të jetë deficitar, ndërsa në një tjetër bile edhe të kaloj në suficitar.
“Shembull i tillë është në rajonin e Pollogut ku matematika nuk mund të konsiderohet si drejtim deficitar, por kjo nuk vlen për pjesën shqiptare të Shkupit ku ka mungesë të mësimdhënësve të matematikës”, shtoi Durmishi. Profesori i fizikës Fatlum Rushiti tha se disa nga arsyet janë mungesa e perspektivës, paragjykimi i vështirësive që mund të hasin gjatë studimeve, mungesa e dashurisë për arsimin si dhe paragjykimet që kanë për tipat shkencorë. Ai po ashtu shtoi se ndonjëherë nuk e di se si do të motivohen të rinjtë në këtë vend për shkak mendësisë që ne përballemi çdo ditë.
BURSA PËR MOTIVIM TË STUDENTËVE
Rushiti sa i përket angazhimit institucional theksoi se MASH, në kontinuitet inicion, punon dhe vepron në drejtim të jetësimit të politikave arsimore, politika që burojnë nga kërkesat permanente të shoqërisë (tregut të punës, zhvillimit të industrisë teknologjike etj). MASh nga viti 2016 ka bërë ndarjen e bursave për studentë që janë regjistruar ose do të regjistrohen në programet e studimit të matematikës, fizikës dhe kimisë dhe do të arrijnë një sukses të notës mesatare 7.0. “Kuota në vit është 105 bursa dhe shfrytëzimi është i lartë, pra pothuajse aq sa edhe kuota. Këto janë bursat më të larta të akorduara nga MASH për të studiuar në institucionet vendore të arsimit të lartë dhe arrijnë në 300 € në muaj” theksuan nga MASh.
Fatlum dhe Agim Rushiti si dhe Durmishi konfirmuar dhe vlerësuan ndarjen e bursave si përpjekje për të motivuar studentët në këto drejtime. Por nga ana tjetër Iljazi potencoi se këto bursa ndahen në baza etnike. “Ky numër është i madh për numrin e studentëve maqedonas të regjistruar në matematikë dhe zakonisht mbeten 10 vende të zbrazura nga kombësia maqedonase . Kurse ka vetëm 15 vende të cilat janë për të gjithë përkatësit të të gjitha pakicave kombëtare (shqiptare, turq, serb , boshnjakë etj.) për të gjitha universitetet shtetërore dhe për këtë studentët shpesh ndjehen të diskriminuar”, tha Iljazi. Edhe pse institucionet kanë bërë përpjekje në këtë drejtim sipas Durmishit është evidente që këto përpjekje nuk janë të mjaftueshme.
“Ajo që është demotivuese për studentët e çdo drejtimi, përfshire këtu edhe të matematikës, mendoj se është para së gjithash mungesa e meritokracisë në punësim. Ky është një problem integral i pakos komplekse të problemeve në shoqërinë tonë për të cilat nuk shoh dëshirë dhe plan konkret për zgjidhje, edhe përkundër retorikave premtuese”, tha Durmishi. “Vështirësi e nxënësve në këtë drejtim është se ata hasin vështirësi në aplikimin e drejtimit të tyre sepse vendet e punës janë të pakta shkaku i ekonomisë buzë greminës si rezultat privatizimeve të ndryshme, haraçeve nga funksionarë shtetërorë dhe të punësimit të personave të pakualifikuar”, tha Fatlum Rushiti.
REFORMAT NË ARSIM, GJIMNAZ I SPECIALIZUAR PËR MATEMATIKË
MASh në vazhdueshmëri sjell reforma në arsim. Nga ky institucion gjithashtu theksojnë se kjo arrihet përmes modernizimit të mësimit të këtyre dhe të gjitha lëndëve të tjera në arsimin fillor dhe të mesëm.
”Ne punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë për të përmirësuar përmbajtjen e programeve mësimore, librave shkollorë, duke i trajnuar mësimdhënësit që të jenë më kreativ gjatë ligjërimit të lëndës…Nga ana tjetër për nxënësit e suksesshëm, pjesëmarrës në gara ndërkombëtare ndan çmime parash”, thonë nga MASh. MASh informoi se në plan është hapja e një gjimnazi të specializuar për matematikës. Për Durmishin fjala reformim sikur është bërë sinonim i fjalës shkatërrim. “Nëse mendohet në reforma sipërfaqësore, sistemi arsimor më mirë është të mos preket më shumë. Përvoja e deritanishme tregon se sa herë që është reformuar deri më sot, gjithmonë ka pësuar regres në kuptim të cilësisë. Arsimit në vend, nga ai parashkollor e deri tek ai sipëror, i nevojitet reformim thelbësor i cili nuk do ishte kopje e një sistemi të një vendi tjetër, sado që të ishte treguar i suksesshëm ai, por sistem origjinal i yni i ndërtuar për t”iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave të shoqërisë sonë”,tha Durmishi.
Sipas studentit Arban Iljazi për drejtimin e matematikës nuk nevojiten kushte të mëdha. Por siç potencoi ai problem dhe reformë e cila duhet të bëhen në këtë drejtim është botimi i librave më të shumta në gjuhën tonë dhe avancimi i sistemit elektronik.
Por, ai përmend edhe një fakt tjetër. “E nevojshme është nga arsimtarët të mbillet një pasion ndaj matematikës dhe kjo arrihet me anë të metodave të ndryshme, kreativitetit dhe disa ndryshime tjera. Por shkak kryesor besoj janë edhe rrogat e ulëta në arsim”, tha Iljazi.
KUSH DO TI ZËVENDËSOJË PROFESORËT
Mos interesimi i të rinjve për të zgjedhur këto programe studimore ka bërë që të mos prodhojmë kuadro të mjaftueshme të cilët do të duhet të marrin pozicionet e stafit i cili pritet të pensionohet, kështu sqaruan nga MASh. Nga aty theksuan se shpesh ndodh që të zbrazet një vend dhe ai të mos mund të plotësohet më pas sepse as në Agjencinë e Punësimit nuk është paraqitu ndonjë person me arsim të tillë.
Ndërsa për profesorët ky konstatim është relativ. Ata mendojnë se mungesa e kuadrove të matematikës nuk është aq e theksuar. Por rëndësi për ta ka sigurimi i punës pas përfundimit të fakultetit. “Mungesa e profesorëve të matematikës nuk është edhe aq e theksuar, bile mund të them se edhe është e papërfillshme. Dritaret që i hap zhvillimi i gjithmbarshëm tekniko-teknologjik, kohëve të fundit, po krijon një realitet të imagjinuar se “shumë çka na mungon”, shtoi Rushiti. Sipas tij kjo dukuri ka qenë e theksuar edhe në drejtimin e fizikës për vite të tëra.
Nga ana tjetër Durmishi theksoi se në vendet ku ka mungesë të mësimdhënësve, shteti duhet të intervenojë ne atë mënyrë duke i dhen privilegje tjera në formë të shtesave të rrogës, pagesës së rrugës e ndoshta edhe sigurimit të vendqëndrimit, në mënyrë që kjo të rris nivelin e arsimit të lëndës në fjalë. Kurse sa i përket nivelit të ulët të njohurive në lëndën e matematikës në veçanti, jemi të vetëdijshëm edhe më herët. “Gjithsesi, rangimin e PISA-s e shohë pozitiv në aspekt të alarmimit të institucioneve për gjendjen në të cilën ndodhemi. Duhet të jemi vetëkritik dhe të mos mashtrohemi me krahasimin e rezultateve të vitit 2018 me ato të vitit 2015”,tha Durmishi.
Sipas Fatlum Rushitit për gjendjen dhe nivelin e të rinjve fajtorë janë edhe vetë ata të cilët kohën më të madhe e kalojnë në rrjetet sociale. Nxënësit në këtë mes janë pasojë dhe jo shkak i problemit. Shkaku ndahet ndërmjet institucioneve të larta arsimore, pa përjashtim, që jo rrallë pajisin me diploma edhe analfabetë funksional dhe institucioneve shtetërore që nga njëra anë arsimin e lartë e kanë bërë të qasshëm për gjithësecilin dhe nga ana tjetër bëjnë përzgjedhje të gabuara gjatë punësimeve. Kështu krijohet një rreth vicios me arsimtarë joadekuatë që prodhojnë nxënës me njohuri të mangëta të cilët lehtë regjistrojnë studimet e më vonë pajisen edhe me diploma dhe punësohen po në arsim”, shtoi Durmishi.
RËNIA E NUMRIT TË STUDENTËVE
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESSH), të marra në bazë të raporteve të pranuara, në Republikën e Maqedonisë Veriore, në vitin akademik 2018/2019 janë regjistruar gjithsej 53 677 studentë, që është një rënie prej 5.7% krahas vitit akademik 2017/2018.
Këto të dhëna gjithashtu tregojnë se këtë vit në drejtimin e Shkencave natyrore dhe matematikës janë gjithsej 1 294 studentë ndërsa prej tyre 902 vajza dhe 392 djem pranë universitetin Shën Kirili dhe Metodi. Ky numër është dukshëm më i ulët në Universitetin e Tetovës ‘Fadil Sulejmani’ ku gjithsej janë 476 prej të cilëve 135 vajza dhe 341 djem. Numri i të diplomuarave gjatë vitit 2018 ishte 146. Statistikat nuk janë të mira as për gradët më të larta, me vetëm 60 të magjistruar dhe 14 doktorantë gjithsej në vend. Duke pasur parasysh se këto shifra përfshijnë më shumë se këto dy drejtime si kiminë, biologjinë, gjeografin…mund të konstatojmë se vendi do të përballet me mungesë të shkencave themelore nga ku burojnë dhe zhvillohen drejtimet tjera si ekonomia, arkitektura…. (koha.mk)



