BDI-ja nuk po gjen qetësinë. Si duket partia e Ali Ahmetit vazhdon të përballet me probleme të rënda brenda strukturave të saj që herë pas here rezultojnë edhe me viktima dhe të lënduar. Përleshja e fundit me armë mes funksionarëvve të BDI-së ndodhi në Çair mbrëmjen e së enjtes ku me dy plumba mbeti i plagosur Valon Bela, drejtor Ekonomik i Klinikës së Gjinekologjisë në Shkup. Megjithatë, plagët e Belës nuk ishin vdekjeprurëse.
Ai u qëllua nën gjurin e majtë, dhe pas operimit ndodhet në gjendje stabile, gjegjësisht jashtë rrezikut për jetë, shkruan Gazeta Lajm.
Gazetari Naser Pajaziti thotë se aktet e tilla nuk i toleron demokracia, por si duket dikush ushqehet nga ato. Sipas tij, përgjegjësia është edhe politike, por edhe e organeve të policisë, të cilat tolerojnë dhe nuk prevenojnë në fatkeqësitë e tilla që po përfundojnë në mënyrë fatale.
“Janë akte të shëmtuara që nuk toleron demokracia. Në disa raste kjo padurueshmëri dhe mëri brenda llojit po eskalon me incidente të tilla, duke i ngjarë përleshjeve të stilit uestern. Tolerimi dhe mosndërhyrja në kohë për të shuar gjakrat nga strukturat e larta partiake ka një faj të theksuar. Në gjitha këto skenare të errëta ku fatkeqësisht po humbin jetë njerëzit faji më i madh qëndron tek organet e sigurisë apo MPB. Këto organe si duket po tolerojnë që të vije deri tek e keqja. Ato duhet ndërhyrë dhe të parandalojnë më të keqen, sepse dihet se në disa raste ka pasur denoncime, por policia ka heshtur.”, thekson Pajaziti.
Sipas tij, nëse dikush në mënyrë indirekte i frymëzon skenarët e tilla dhe tolerohen, atëherë është e qartë se nuk kanë të ndalur rastet e tilla të incidenteve.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se rasti është dokumentuar por nuk japin detaje shtesë.
“Dje rreth orës 17 e 45 është denoncuar se në rrugën “Llazo Terpkovski” është gjuajtur me armë zjarri ndaj V.B. (40) nga Shkupi në këmbën e majtë nën gju. Ndaj tij ka shtënë një person i cili ka qenë bashkë me E.H., E.A. dhe R.N., ndërsa V.B. është transferuar në spitalin e qytetit”, njoftuan nga Policia.
Gjatë një prononcimi për mediat, ministri i punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka thënë se kryetari i Çairit është ankuar nga kërcënime të marra prej Valon Belës.
“Po e hetojmë rastin. Kemi disa denoncime nga kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu për kërcënime nga Valon Bela”, deklaroi Spasovski, shkruan Gazeta Lajm
Zyrtarisht ende nuk dihen motivet për ngjarjen, ndërkaq TV21, të enjten mbrëma njoftoi se përleshja e armatosur ka ndodhur për shkak të një ngatërrese me Valon Belën dhe kryetarin aktual të Komunës së Çairit, Visar Ganiu.
“Jo-zyrtarisht mësohet se Valon Bela i është lajmëruar kryetarit të Çairit, Visar Ganiut me të cilin ka kërkuar që të realizojë takim në Fushë Topanë, te marketi Princ. Drejtori ekonomik Valon Bela ka qenë i revoltuar pasi që i është ndaluar rroga që i është dhënë nga komuna. Kryetari Visar Ganiu ka thirrur persona tjerë, pas së cilës fillimisht është shkaktuar përleshje fizike, ndërkaq më pas është shtënë me armë”, shkruan TV21. Nuk bëhet e ditur për sa rroga të papaguara ndaj Belës bëhet fjalë.
Siç raportojnë mediat, Bela u qëllua para ndërtesës ku jeton kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu. Ky i fundit nuk ka takuar Belën, por në takim e ka dërguar shefin e kabinetit të tij Е.А. të shoqëruar nga Е.H dhe R.N si dhe personin që ka shtënë në drejtim të Belës që mbetet i panjohur për opinionin. Ganiu nuk është prononcuar për incidentit, kurse me qëndrim zyrtar ende nuk ka dal as BDI-ja.
Sipas medieve në gjuhën maqedonase, incidenti i armatosur nxjerr në sipërfaqe problemet e mëdha brenda degës së BDI-së në degën e Çairit të cilat prej vitesh mbahen të fshehura nga opinioni.
Kryesimi me degët e BDI-së edhe në të kaluarën ka qenë problematik dhe ka shkaktuar viktima.
Për shkak të rivalitetit për degën e BDI-së në Kumanovë, më 23 korrik të vitit 2015 mbeti i vrarë edhe Xhemail Rexhepi-Shqiponja, nga plumbat që i shkrepi Bajram Limani, në lokalin ku duhej të bisedonin lidhur me koordinimet brendapartiake.
Një ngjarje e rëndë mes dy grupeve rivale për degën e BDI-së në Kumanovë, ndodhi në afërsi të selisë së kësaj partie në Tetovë në muajin maj të këtij viti, ku mbeti i vrarë Naip Rexhepi nga dega e BDI-së në Kumanovë, ndërsa dy persona tjetër mbetën të plagosur.
Ndërkohë, për përleshjen e fundit në Çair ku mbeti i plagosur Valon Bela, ka reaguar VMRO-DPMNE-ja e cila ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski.
Gazeta Lajm
M.I