Me 15 shkurt të këtij viti ministri i shëndetësisë Venko Filipce vizitoi spitalin e Kërçovës ku u takua me drejtoreshën e këtij spitali Biljana Nasteska.
Në mesin e problemeve që u folën në atë takim ishin hapësirat dhe kushtet e këqija të punës në Spitalin e Kërçovës, ndërsa ministri i shëndetësisë, Venko Filipce premtoi se ky problem do të zgjidhet shumë shpejtë pas ndërtimit të objektit të ri të spitalit.
Në vitin 2015, LSDM-ja reagoi ashpër ndaj punësimeve familjare në Strumicë nga ana e VMRO-DPMNE-së e cila në atë kohë ishte në pushtet.
LSDM-ja erdhi në pushtet me premtimin se do të vleje ligji i meritokracisë ku secili do të zë vendin e merituar.
Në “Pateklif” me Naser Selmanin në portalin Almakos, kryeministri i Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev premtoi se para ligjit do të janë të gjithë të barabartë dhe se nëse bëhet fjalë edhe për Shën LSDM-në, nëse ai ka gabuar do të përgjigjet para ligjit.
Por si duket i gjithë ky rrugëtim i LSDM-së nuk vlen edhe për drejtoreshën e spitalit të Kërcovës Biljana Nasteska e cila vazhdon që t`i shkel rregulloret e meritokracisë në përzgjedhjen e kandidatëve për punë.
Në kohën kur prej Maqedonisë po ikin një numër i madh i kuadrit mjekësor, Biljana Nasteska nuk i merr parasysh rezultatet gjatë mësimit dhe studimeve për pranim në punë, por pranon në punë njerëz në bazë të njohjeve personale.
Ajo ia ka ndaluar të drejtën e punësimit Besmire Ramadanit e cila ka një notë mesatare prej 8.46, ndërsa ka pranuar në punë Aleksandra Jovevska me mesataren 6.83 dhe Leunora Useini me mesataren 7.53.
Në opinion janë shpërndarë dëshmitë se si drejtoresha Nasteska ka punësuar njerëz me të cilët ka lidhje familjare.
Këshilltari nga Aleanca për Shqiptarët në komunën e Kërçovës, Genc Selmani ka publikuar dokumente nga skandali që ka ndodhur ditëve të fundit në spitalin e përgjithshëm të Kërçovës për shkelejn e kritereve për përzgjedhjen e kandidateve për motra medicinale në spitalin e Kërcovës.
Në lidhje me këtë problem ka reaguar edhe këshilltari i Aleancës për Shqiptarët në Komunën e Kërçovës, Genc Selmani i cili këtë veprim e ka quajtur skandaloz:
“Skandali që ka ndodhur ditëve të fundit në spitalin e Pergjithshêm të Kërçovës me përzgjedhjen e kandidatëve për motra medicinale në të cilin fund e krye janë shkelur kriteret për përzgjedhjen e stafit të shpallura në konkurs .
Siç duket, edhe pse vazhdimisht autoritetet politike dhe shendetësore bëjnë apel që personeli mjekësor të qëndrojë në vend dhe alarmimit se ka mungesë të motrave medicinale, nëpërkëmbja nuk ka fund .
Kandidati që është vlerësuar me pikët maksimale është anashkaluar dhe në vend të saj është pranuar me nderhyrje nga jashtë një kandidat tjetër me pikë më të vogla.
Ky është vetëm një rast ndërkohë që në të njejtën mënyrë është vepruar edhe me përzgjedhjen e kandidatëve të listave tjera.
Shpresoj që ky denoncim i faktuar të demantojë thirrjet falso të autoriteteve shëndetësore sepse akoma ndërhyrjet politike kanë peshë të madhe.“, shkruan në Fb Selmani.
Ish ministri i shëndetësisë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, tashmë kryetar i Gostivarit, Arben Taravari ka reaguar ndaj këtij fenomeni duke thënë se kjo është njëra prej arsyeve kryesore për ikjen e të rinjve.
“Turp! Kjo është njëra prej arsyeve kryesore pse na ikin të rinjtë, pikërisht PADREJTESIA!”, komenton Taravari.
Përgatiti: Hamdi Nuhiju/Almakos