04 October
Nuk ka raste të reja të të prekurve nga fruthi. Por pavarësisht kësaj, nga Komisioni për sëmundje infektive thonë se rreziku për përhapjen e epidemisë mbetet shumë i lartë. Nga atje thonë se një rrezik i tillë mund të tejkalohet vetëm atëherë kur çdo prind do të dërgojë fëmijën e tij për marrjen e vaksinës kundër këtij infeksioni. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Institutit të Shëndetit Publik thonë se gjendja e gjashtë pacientëve të shtrirë në Klinikën Infektive është stabile dhe jashtë ndonjë rreziku të mundshëm.
Nga kontaktet tona që kemi pasur me Klinikën Infektive mësuam se nuk janë regjistruar raste të reja të të infektuarve nga fruthi, që do të thotë se mbetet 11 numri i të prekurve. Apeloj deri të prindërit që t’i çojnë në vaksinim fëmijët e tyre pasi epidemia ka rrezik që të përhapet në çdo moment si pasojë e mos vaksinimit, sepse nëse vjen virusi në shtetin tonë ata fëmijë të pa vaksinuar do të jenë të parët që do të preken. Të gjithë pacientët e shtrirë janë në gjendje stabile dhe jashtë ndonjë rreziku për komplikime në shëndet dhe së shpejti do të lëshohen në shtëpi -deklaroi Zharko Karaxhoski, Instituti i Shëndetit Publik.
Njëra nga shtëpitë e Shëndetit Publik në Shkup e cila bën vaksinimin kundër fruthit, thotë se është rritur numri i personave të cilët dërgojnë fëmijët e tyre për pranimin e kësaj vaksine por nuk përjashtohen as rastet kur prindërit refuzojnë që fëmijët e tyre të vaksinohen kundër fruthit.
Shënon rritje numri i të interesuarve të cilët duan t’i vaksinojnë fëmijët e tyre duke ardhur tek shtëpia jonë e shëndetit. Por gjithashtu ekzistojnë edhe prindër të tillë të cilët nuk pranojnë tua japin fëmijëve të tyre këtë vaksinë, por numri i tyre është i vogël. Rritja e interesimit për këtë vaksinë ka filluar që nga dita kur u shënua rasti i parë me fruth. Të gjithë duhet ta pranojnë këtë vaksinë pasi është e sigurtë – tha Irena Janakievska, Mjeke në Shtëpinë e Shëndetit “ Ibabija” në Shkup.
Që nga muaji i kaluar e deri më sot, numri i përgjithshëm i të prekurve nga fruthi është 11, ndërkaq gjashtë prej tyre për momentin janë të shtrirë në Klinikën për sëmundje Infektive. Gjatë javës së kaluar ekipet e Institutit të Shëndetit Publik kanë bërë vaksinimin e 1932 personave të cilët më herët nuk e kanë marrë këtë vaksinë. 1352 prej tyre janë vetëm nga Shkupi.
Vjollca Aliti

