Partitë në pushtet – LSDM dhe BDI kanë insistuar të pritet njëherë çfarë do të thuhet për KSHZ-në në Raportin e progresit dhe më pas të përkrahin VMRO për kthimin e përbërjes së vjetër prej shtatë anëtarëve si zgjidhej e përkohshme, pa përfaqësimin e ekspertëve siç ka qenë këto dy vite
Në funksion të marrjes së rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian, pozita dhe opozita kanë intensifikuar bashkëpunimet për ligjet reformuese, së fundmi me miratimin e disa ligjeve në sferën e gjyqësorit, shkruan gazeta KOHA. Por në grupet punuese mes LSDM-së dhe VMRO-së jo gjithçka ka shkuar mirë sa i përket temave për të cilat është biseduar. Në lidhje me përbërjen e KSHZ-së, merret vesh se arsyeja se pse ka ngecur puna është se LSDM dhe BDI nuk kanë dashur të ndërmarrin veprime pas marrë mendimin e ndërkombëtarëve. Konkretisht, partitë në pushtet kanë insistuar të presin njëherë çfarë do të thuhet për KSHZ-në në Raportin e progresit dhe më pas të përkrahin VMRO-në për kthimin e përbërjes së vjetër prej shtatë anëtarëve, pa përfaqësimin e ekspertëve siç ka qenë këto dy vite.
BDI në parim është për përfaqësimin politik, kryetari ti takojë opozitës, ndërsa shumica e partive në pushtet, ndërkohë që kjo të jetë një zgjidhje e përkohshme derisa të ketë një debat më të gjerë për të arritur deri tek zgjidhja afatgjate.
“Por, edhe nëse shkohet në zgjidhje afatgjate, prapë përfaqësimi politik mendojmë se nuk duhet të mungojë. Përveç kësaj, duhet shtuar edhe kapacitetet e KSHZ-së e jo vetëm të synohet rritja e anëtarëve të saj”, thonë deputetët e BDI-së. Nga Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamin thonë se përfaqësimi nga partitë politike, siç ka qenë në të kaluarën, nuk duhet të përsëritet në formën si ka qenë. “Ne kemi parë në përgjigje se çfarë luhet me KSHZ-në, d.m.th çfarë na ka sjell ky përfaqësim. Elektorati shqiptarë ka pësuar nga kjo KSHZ, sepse na kanë mbivotuar anëtarët maqedonas. Duhet gjetur mekanizma që shqiptarët të mos mbivotohen dhe një përfaqësim sa më i madh në KSHZ të anëtarëve shqiptarë”, thonë zyrtarë të lartë të kësaj partie. Edhe nga Aleanca Shqiptare po ashtu janë kritik ndaj heqjes së ekspertëve dhe zvogëlimit të përbërje së KSHZ-së nga 9 në 7 anëtarë.
”Kjo flet për jo seriozitetin e LSDM-së, e cila më herët insistonte në ekspertë, ndërsa tani me një vizë do t’i heq duke dëgjuar VMRO-në. Jo se ata ekspertët që ishin kishin rol apolitik, por të paktën ishin më balancues në KSHZ. Maqedonia nuk mund të pretendojë në reforma kur nuk reformon institucionin më të rëndësishëm në shtet – KSHZ, që ka dorën e fundit për mandate deputetësh”, thonë zyrtarë të ASH-së. Nga LSMD thonë se kjo është një zgjidhje e përkohshme, ndërsa në parim nuk janë për heqjen e ekspertëve.
“Ende s’ka një marrëveshje definitive, por presim çfarë do të thuhet në Raportin e progresit për Maqedoninë. Në parim nuk jemi për heqjen e ekspertëve. Në lidhje me kthimin e përfaqësimit politik prej 7 anëtarëve, ende nuk është definitive, por edhe nëse do të ndodh, do të jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme ashtu siç jemi marrë vesh me VMRO-në”, thonë në LSDM.
Në VMRO mbeten në qëndrimin se përfaqësimi politik duhet të jetë i përkohshëm, por se janë të hapur për propozime të ndryshme mes atyre edhe që përbërja të jetë administrative apo nga ana e gjyqtarëve me short siç është folur më herët. Ndryshe, përveç përbërje së KSHZ-së, ballafaqimi pushtet-opozitë nuk do të jetë i lehtë as sa i përket sistemit zgjedhor. Së fundi, nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska theksoi se partia e saj dëshiron të shoh modelin proporcional të zgjedhjeve me Një njësi zgjedhore, që e njëjta thotë se ishte pjesë e Programit partiak parazgjedhor, por për këto çështje, shtoi Sheqerinska, duhet konsensus midis partive politike. Gjithashtu, në lidhje me KSHZ-në, Sheqerinska informoi se është arritur marrëveshje që të shkohet në dy faza.
Në të parën do të trajtohet problemi i zgjedhjes së anëtarëve, ndërsa në fazën e dytë do të shqyrtohen ndryshimet në Kodin zgjedhor, ku do të merren parasysh edhe vërejtjet e OSBE-së dhe OJQ-ve. Nga ana tjetër, VMRO vështirë se do të përkrah një ide të tillë për faktin se çdoherë ku është biseduar si temë gjatë negociatave për implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos, ajo ka këmbëngulur të mbeten me 6 njësi zgjedhore.
BDI po ashtu pritet të jetë kategorike kundër sistemit më Një njësi zgjedhore me arsyetimin se humbet shumë në votat shqiptare. Nga partia e Ahmetit të vetmin kompromis që mund të bëjë është ndarja në Tre njësi zgjedhore, kur njësia 1 dhe 2 të bëhen një njësi, njësia 5 dhe 6 një njësi dhe 3 dhe 4 një njësi zgjedhore. Partitë tera shqiptare Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptaret përkrahin idenë që Maqedonia të kalojë në Një njësi zgjedhore. (koha.mk)