Ndarja nga jeta e regjisorit Dhimitër Anagnosti ka lënë një boshllëk të ndjeshëm në kinematografinë shqiptare.
Aktori Mevlan Shanaj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ka ndarë kujtime dhe vlerësime për figurën e tij, duke e cilësuar jo vetëm një artist të madh, por edhe një ikonë kombëtare që i dha ekranit shqiptar thellësi dhe dinjitet.
Shanaj e përshkroi Anagnostin si njeri kërkues dhe shumë korrekt, që nuk pranonte asgjë sipërfaqësore në procesin krijues.
“Me të nuk mund të luaje. Kërkonte gjithmonë të ishe serioz dhe i përgatitur. Çdo karakter që ndërtonte, e kishte të studiuar deri në detaj që në letër,” u shpreh aktori.
Sipas tij, Anagnosti kishte një aftësi të veçantë për të ndërtuar karaktere komplekse dhe me thellësi psikologjike, duke sjellë në ekran figura që qëndrojnë të gjalla edhe sot, si në rastin e personazhit të luajtur nga Kadri Roshi në “Lulëkuqe mbi mure”.
Një aspekt prekës i rrëfimit të Shanajt ishte edhe historia e dashurisë mes Dhimitër dhe Roza Anagnostit, e cila nisi gjatë bashkëpunimeve të tyre artistike. “Ishte një ndjenjë që lindi natyrshëm gjatë punës. Roza ka qenë gjithmonë pranë tij, edhe në vitet më të vështira,” tha Shanaj.
Mevlan Shanaj: Dhimitër Anagnosti ishte tepër kërkues. Nuk mund të bëje sikur me Anagnostin, me të duhet të ishe korrekt, në përpjekje për të dhënë maksimumin. Ishte njeri korrekt. Ai nuk ishte thjesht regjisor, ishte figurë e madhe kombëtare. Dhimitër Anagnosti ishte një civil e qytetar i përgatitur, por mbi të gjitha mjeshtër i ekranit. E kam njohur Dhimitër Anagnostin në vitin 1970. Ai i vizitonte karakteret, ka punuar me aktorët më të mirë në vend. Anagnosti ishte njeri i matur. Ishte njeri i vështirë, i “sertë”, nuk ishte person që të kishte qejf të hallakatej.
Ai ishte mjeshtër i ndërtimit të karaktereve. Dhimitër Anagonisti që kur shkruante tekstin, e kishte parasysh gjithë karakterin, psikologjinë e tij. E kini parasysh Kadri Roshin tek “Lulëkuqe mbi mure”, është karakter kompleks dhe në psikologji. Dhimitër Anagnosti donte që një karakter të dilte ashtu siç e mendonte ai. Ai e ka njohur bashkëshorten Roza Anagnosti, kur ajo luante për filmin “Toka jonë” dhe më pas e njohu më shumë tek filmi “Komisari i dritës”. Ishte dashuri që lindi nga perceptimet e tyre artistike, lindi në punë e sipër dashuria e tyre. Roza Anagnosti është kujdesur gjithmonë për bashkëshortin e saj, edhe gjatë kohëve të fundit, kur ai nuk ishte më në gjendje aq të mirë.