Të shumtë kanë qenë ata shok e miq të Andis Harasanit, të cilët përmes rreshtave nëpër rrjetet sociale kanë shprehur dhimbjen e tyre për ikjen e parakohshme nga kjo jetë të ish-deputetit socialist.
Një prej tyre ka qenë edhe gazetari Enkel Demi, i cili ka sjellë momentit kur kuptoi që miku i tij ishte diagnostikuar me kancer.
Ndër të tjera, gazetari e ka përshkruar Andisin si njeriun me zemrën e madhe, mikun e shtrenjtë dhe shokun i cili gjithmonë, sa herë që të kishe nevojë ishte aty, për ty.
“Ike shok i shtrenjtë! Deri në fund nuk bëre zë. Edhe kur e mësova, e shmange përgjigjen, por flisje për libra. Kishe një të keqe të madhe Andiso; nuk u fute kurrë në rresht. Na dole nga rreshti edhe tek radha me shku. Për ty kanë folur shumë, kanë thënë shumë, por për mua ishe ai shoku i një sms-je larg. Suela të përqafojmë fort. Rroki në qafë fëmijët”, shkruan Demi.
Zemra e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Andis Harasanit ndaloi së rrahuri ditën e djeshme. Andisi, politikani, miku, babai, djali, e bashkëshorti besnik mbylli sytë përgjithmonë në moshën 54-vjeçare.
Pavarësisht luftës së tij të gjatë me “përbindëshin” i cili prej dy vitesh ndodhej në trupin e tij, ish-deputeti nuk arriti të fitonte këtë betejë, ashtu sikurse betejat e tjera në arenën e politikës. Ai ndërroi jetë në New York, aty ku prej kohësh po merrte mjekim për sëmundjen e rëndë.
Ishte vetë bashkëshortja e Andis Harasanit, ajo e cila përmes një postimi, e shkatërruar nga humbja e shokut të saj të jetës, e babait të dy fëmijëve të saj, dha lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të ish-deputetit.