Nga 12 tetori 2025, Bashkimi Europian do të nisë zbatimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve në kufi, i quajtur EES (Entry/Exit System), i cili zëvendëson vulat në pasaportë me skanime biometrike.
Sipas këtij sistemi, qytetarët nga vende jo anëtare të BE-së, përfshirë edhe Shqipërinë, do të duhet të regjistrojnë gjurmët e gishtërinjve dhe një foto të fytyrës për të hyrë në zonën Schengen. Këto të dhëna do të mblidhen në aeroport, port apo stacion kufitar në momentin e parë të hyrjes dhe do të jenë të vlefshme për tre vjet.
Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike do të çojë në ndalim hyrjeje.
Sistemi do të zbatohet me faza në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe pritet të jetë funksional në mënyrë të plotë deri më 10 prill 2026.
Për udhëtarët që kalojnë afatin 90-ditor pa vizë, të dhënat do të ruhen për 5 vjet.
Ata që kanë pasaporta elektronike do të kenë mundësi të përdorin portat automatike, pa pasur nevojë për kontakt me zyrtarin kufitar.
Regjistrimi është falas, dhe pritet që, megjithë shqetësimet për radhët e gjata, kontrollet të bëhen më të shpejta dhe më efikase pas përfundimit të fazës së parë të zbatimit.