NTP “Shkup” ka probleme financiare në punën e saj dhe qyteti do ta subvencionojë sërish ndërmarrjen. Kryetarja Danella Arsovska kërkon nga Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën që do të mbahet nesër, të miratojë subvencionimin e ri në vlerë prej 2,6 milionë euro për mbarëvajtjen e transportit publik në qytet, transmeton Portalb.mk.
“Në drejtim të përmirësimit të shërbimit të transportit për qytetarët e zonës së qytetit të Shkupit, si dhe mbarëvajtjes së transportit publik, propozohet që shuma prej 485.000.000 denarë të zëvendësohet me shumë prej 645.000.000″, qëndron në arsyetimin e vendimit të subvencionimit.
Në janar të këtij viti, NTP “Shkup” ka marrë subvencione nga qyteti në vlerë prej 11 milionë euro. 140 milionë denarë janë ndarë për realizimin e transportit pa pagesë me autobus për pensionistët dhe studentët, 485 milionë denarë për vështirësitë operative apo për të mundësuar shpërndarjen e pagave për punëtorët, dhe 60 milionë denarë për funksionimin e sistemit AVL dhe smart biletat.
Subvencionet janë votuar në seancën e dytë të jashtëzakonshme, pasi dy herë më parë nuk ka pasur votim të shumicës, përkatësisht këshilltarët e VMRO-DPMNE-së nuk kanë votuar. Një ditë nuk kishte transport publik, sepse vendimi nuk u votua.
Pas marrjes së vendimit, Arsovska u tha punëtorëve të ndërmarrjes të cilët protestuan para Këshillit se tani mund të jenë të qetë, sepse janë siguruar para për pagat dhe funksionimin e transportit publik për tërë vitin. Por tani sërish kërkohet subvencionimi i ndërmarrjes.
Kujtojmë se transportuesit në fund të gushtit funksiononin në mënyrë të reduktuar. Por më pas, me 2 shtator, u arrit marrëveshje me NTP “Shkupi”. Pas takimit që kanë pasur pasditen në drejtorinë e NTP “Shkup” në Autokomandë, transportuesit privatë kanë bërë të ditur se janë marrë vesh me kompaninë që t’ua paguajë 80 përqind të borxhit, pra, siç thanë ata, u janë transferuar mjete në vlerë prej 40 milionë denarë.