Edhe pse ka të dhëna se, në rajonin e Rashkës kanë jetuar një numër i madh shqiptarësh me një kulturë krejt ndryshe nga ajo ortodokse serbe, duke e çuar në tre numrin e grupeve etnike në këtë zonë, në ditët e sotme duket e vështirë të gjesh njerëz që identifikohen si të tillë. Ja cilat kanë qenë arsyet që e shtynë këtë pjesë të popullsisë të asimilohej duke humbur gjuhën dhe besimin fetar…
Nga Suadela Balliu*, Novi Pazar, Serbi
Novi Pazari, qyteti jugperëndimor i Serbisë, njihet për veçorinë e tij të shumësisë etnike, kulturore e fetare, ku prej shekujsh bashkëjeton një popullsi me kombësi serbe e boshnjake, me përkatësi të fesë islame dhe të krishtere ortodokse. Xhamitë janë lehtë të dallueshme prej minareve që ngrihen në qiell dhe për të gjetur një kishë – qyteti gjithashtu është i famshëm për monumente të lashta të të dyja besimeve fetare – duhet të pyesësh vendësit. Një burrë rreth të dyzetave, pasi na uron mirëseardhjen në qytetin e tij në gjuhën angleze, na bën udhë drejt Crkva Svetog Nikole ( Kisha e Shën Nikollës), një kishë e ritit ortodoks. “E dua qytetin tim. Gjithçka shkon mirë në Novi Pazar. E dua jetën këtu”, rrëfen ai. Nebojsa Milosavljevic është mjek në spitalin shtetëror të Novi Pazarit. Pasi ka studiuar në Prishtinë për disa vite, është kthyer në vendlindje, ndërsa ndjek edhe specializimin si mjek kirurg në Beograd. “Ne këtu shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Unë kam jetuar në Prishtinë dhe i dua shumë shqiptarët”, –thotë ai, ndërsa nxiton të shtojë: “Unë jam serb dhe shoku im më i mirë është mysliman. Ne këtu kemi bashkëjetesë paqësore mes besimeve të ndryshme fetare”, përfundon.
Po përse për t’u prezantuar serbët zgjedhin identitetin kombëtar, ndërsa pjesa tjetër zgjedh përkatësinë fetare?
“Sepse jo të gjithë myslimanët janë boshnjakë”, sqaron Irfan Nurkoviç, një i ri që ka zgjedhur të punojë si udhërrëfyes turistik i zonës në mënyrë vullnetare. “Të parët e mi kanë ardhur nga Mali i Zi, ndaj unë nuk kam lidhje fare me boshnjakët”, thotë duke shtuar: “ Nëse një mysliman thotë se është serb, do të thotë se në mendjen e tij ka pranuar se është i krishterë ortodoks”.
Sipas të dhënave të Censusit të vitit 2011, në Novi Pazar 77443 qytetarë janë deklaruar si boshnjakë, 16234 si serbë dhe një shifër jo e vogël prej 4201 individësh kanë zgjedhur të regjistrohen thjesht si myslimanë. Edhe karikaturisti i famshëm në Ballkan, Muhamed Djerlek i njohur me emrin e artit si Max, rrëfen se familja e tij ka ardhur prej Malit të Zi në Novi Pazar. “Është e çuditshme sa shumë që jemi të lidhur dhe sa shumë që ngjajmë”, –thotë Max, ndërsa përpiqet të pyesë për kuptimin e disa fjalëve shqip e një ndër to është malësor. “Të parët e mi kanë qenë malësorë”, shton ai. Sipas disa të dhënave, dy e treta e boshnjakëve e gjurmojnë prejardhjen në rajonet e Malit të Zi, nga rajoni i Malësisë i banuar nga shqiptarë nga ku nisën të largohen prej 1687-ës, pasi Turqia humbi Kotorrin.
Shqiptarët ‘boshnjakë’
Edhe pse ka të dhëna se në rajonin e Rashkës kanë jetuar edhe një numër i madh shqiptarësh me një kulturë krejt ndryshe nga ajo ortodokse serbe, duke e çuar në tre numrin e grupeve etnike në këtë zonë, vendësit, jo vetëm në rrugë por edhe në institucione ngrenë supet me habi e të thonë se nuk njohin shqiptarë këtyre anëve. E çuditshme bëhet edhe më shumë kur sheh në Census se të paktën 202 qytetarë janë deklaruar si shqiptarë. Një shifër e vogël, por jo për të mos u vënë re në një qytet jo të madh ku njerëzit njihen me njëri-tjetrin.
Në muzeun “Rash” historianët rrëfejnë se pak dihet për shqiptarët e zonës së Rashkës. “Me shumë gjasa janë asimiluar. Dimë që kanë qenë të krishterë katolikë”, thonë ata.
Rijelda, një vajzë e re serbe, teksa zbulon disa nga veçoritë e qytetit thotë se ka dëgjuar që diku në zonë jeton edhe një komunitet si vogël katolikësh.
Për këtë komunitet nuk kanë të dhëna të sakta as në arkivin e qytetit, Pak dihet, e sigurt është se janë asimiluar. Ama thonë se, në fund të shekullit XIX kur zona administrohej nga Perandoria Austro-Hungareze , aty u ndërtua një katedrale katolike, prej së cilës nuk ka mbetur më gjurmë, veç një fotografie që gjendet në arkiv. “E shkatërruan serbët më pas”, rrëfen Redzep Škrijelj, profesor në Historinë Orientale dhe pedagog në Universitetin e Novi Pazarit, duke lënë të kuptohet se i referohet kohës kur rajoni u mor nga Mbretëria Serbe më 1912-ën, gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Kohën e lirë Redzep Škrijelj e kalon brenda argjendarisë së tij, në lagjen e vjetër në anë të lumit. Flet në një shqipe arkaike, por të rrjedhshme. “Të parët e mi kanë qenë shqiptarë e kanë jetue n’Peshter”, –thotë ai, ndërsa tregon me gisht nga fotografia bardhezi pas shpinës së tij, një malësor me qeleshe duke kullotur bagëtitë. Škrijelj thotë se rrafshnalta e Peshterit ka pasur plot fshatra ku banorët ishin me origjinë shqiptare. “Unë mbiemrin e kam Shkreli dhe familja ka emigruar prej Koplikut”, zbulon Škrijelj. Pasi u vendosën në rajonin e Rashkës, familja e tij u nis të emigronte drejt Turqisë. Me shpresën se mund të merrnin një vizë në Shkup, mbetën aty për vite. “Unë shkollën fillore, të mesmen dhe universitetin e kam kry’ në Shkup”, zbulon historiani, ndërsa shton se zanatin e punimit të arit dhe argjendit e mësoi në Shkup. Më pas familja vendosi të kthehej edhe njëherë në Novi Pazar, ku bashkë me të vëllanë Nexhibin zotërojnë dy argjendari. Bashkëshorten, shton se e ka marrë prej Prizrenit, edhe pse shqiptare duket se një pjesë e banorëve atje e kanë harruar gjuhën shqipe dhe flasin gjuhën turke.
Thotë se në familjen e tij kanë folur shqip dhe kur e pyesin ai thotë se ndihet nëntëdhjetë për qind shqiptar dhe dhjetë për qind boshnjak, pasi shpjegon se si të parët e tij pasi lanë Shqipërinë u martuan me gra boshnjake. Profesor Škrijelj thotë se mes boshnjakëve të Novi Pazarit ka shumë shqiptarë, madje shkon deri aty sa thotë se më shumë se tetëdhjetë për qind e tyre janë me origjinë shqiptare. “Ngaqë kanë harru’ gjuhën janë deklaru’ si boshnjakë”, rrëfen profesori ndërsa bën një rrugëtim në histori, duke përfunduar se gjuha është një element i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit. Sipas një studimi të vitit 2011 të Andrea Pieronit, Maria Elena Giustit dhe Cassandra L. Quave (“Etnobiologjia ndërkulturore në Ballkanin Perëndimor: etnobotanika mjekësore dhe etnozoologjia mes shqiptarëve dhe serbëve në Rrafshnaltën e Peshterit, Sanxhak, Serbia jugperëndimore”, thuhet se ka ende disa fshatra shqiptare si Boroshtica, Doliç dhe Ugao në rajonin e Peshterit. Popullsia aktuale e fshatrave shqiptare është pjesërisht e boshnjakëzuar qysh prej dy brezash kur një numër i burrave shqiptarë nisën të martoheshin me gra myslimane boshnjake të Peshterit. Vetatribuimi si “shqiptarë” është braktisur qëllimshëm për të shmangur luftërat dhe sulmet e dhunshme të forcave paraushtarake serbe në zonë. Brezat e vjetër të fshatarëve janë ende të rrjedhshëm në shqipen gegnishte, që duket se është harruar nga linguistët europianë. Prania e minoritetit shqiptar në këtë zone kurrë nuk është sjellë në vëmendjen e grupeve ndërkombëtare të interesit as nga ish-Jugosllavia apo autoritetet serbe”, shkruhet në studim. Megjithëse njeh plot shqiptarë, burra të moshuar që ende flasin rrjedhshëm shqip, madje shton se shumë prej toponimeve në zonë kanë derivuar nga ilirishtja dhe gjuha shqipe, Profesor Škrijelj nuk di të thotë nëse ka pasur ndonjë komunitet katolik aty. Kjo mbase ngaqë konvertimi në islam ka ndodhur herët.
Një komunitet katolik në Novi Pazar?
“Unë nuk di as me e shkrujt, as me e lexue. Ma ka msue mama. Fol shqip vetëm n’shpi dhe ndonjiher’ rrallë vij’ ktu te argjendarit’ dhe flas me nji’ prej Peje. Por kur nuk ka njerz’”, thotë
Mikush Koljatahi, ndërsa zbulon se është shqiptar i Gjakovës dhe se familja e tij i përket besimit të krishterë katolik. “Kam shkue’ n’ Gjakovë pas 50 vjetsh” . Ishte foshnjë kur prindërit u vendosën në Nozi Pazar. “M’ka dek baba para nji muji dhe kur kemi qit njoftimin, bashkë me nji simbol kryqi t’gjith’ janë habit. Asnji nuk e di ktu se jam shqiptar e katolik”, vijon ai, ndërsa duket se ka qenë amaneti i të atit të varroset në vendlindje. “E kam ma leht’ me fol serbisht, e din’. Se nuk foli shumë n’shqip”, shfajësohet ai, megjithëse shqipja e tij është e ruajtur mirë, ashtu siç prindërit e kanë marrë dikur nga vendlindja dhe ua kanë mësuar fëmijëve. Mikushi, i cili e ka trashëguar emrin e rrallë nga i gjyshi, thotë se familja e tij është e vetmja e besimit katolik në qytet dhe se nuk njeh tjetër. Edhe ata dikur janë marrë me punimin dhe shitjen e stolive të arit dhe argjendit, porse prej disa vitesh e kanë mbyllur aktivitetin.
Dikur, gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, Novi Pazar apo Pazari i Ri siç e quajnë shqiptarët ishte kryeqendra e Sanxhakut. Një pikë e rëndësishme shkëmbimi tregtar dhe një udhëkryq për rrugë që lidhnin Sofjen me Dubrovnikun, Budapestin me Selanikun e Sarajevën, ku takoheshin njerëz me besime të ndryshme fetare e kultura të larmishme, për t’u marrë vesh me gjuhën e shitblerjes. Sot nuk është më ai qyteti i rëndësishëm për shkëmbime tregtare, por njerëzit me gjuhë, besime fetare dhe etni të ndryshme jetojnë bashkë në një hapësirë prej 742 kilometrash katrorë. Secili, duke e zgjedhur vetë identitetin që i rri më mirë.
*Ky artikull u shkrua në kuadër të projektit “Balkan Booster”, organizuar nga Deutche Welle.