“Për veprën me intensitet poetik në prozë që përball traumat historike dhe ekspozon brishtësinë e jetës njerëzore”, është motivacioni, me të cilin shkrimtarja Hang Kang nga Koreja e Jugut, ka marrë çmimin “Nobel” për letërsi. Por vepra e saj, është shumë më komplekse se sa kaq. Ajo kishte thënë se sikur të kishte shëndet të plotë nuk do të merrej me shkrime, e një vepër e saj u përkthye në shqip nga kureshtja për vegjetarianët
Në kohën kur arti e kultura aziatike kanë marrë goxha hov në botë, shkrimtarja nga Koreja e Jugut, Han Kang është shpallur laureate e çmimit më prestigjioz që njeh letërsia, “Nobel”. Kang (53) mesditën e së enjtes po qëndronte në Seul, duke kaluar kohën së bashku me të birin. Telefonata e sekretarit të përhershëm të Akademisë Suedeze, Mats Malm ia ka prishur qetësinë. Në atë rast ka marrë vesh se është laureatja e parë koreane e “Nobelit” për letërsi. Ka marrë vesh edhe se Komiteti i Akademisë Suedeze ka vlerësuar krijimtarinë e saj me motivacionin, “Për veprën me intensitet poetik në prozë që përball traumat historike dhe ekspozon brishtësinë e jetës njerëzore”. Ky arsyetim është lexuar edhe nga sekretari Mats Malm në orën 13:00 të së enjtes.
Sfondi letrar e të fshehtat e trupit
Pos intensitetit poetik në prozë, romancierja me mjaft intensitet është ngjitur dhe deri te çmimi “Nobel”. E lindur më 1970, Kang në vitin 2015 është bërë e njohur në tregun anglishtfolës pasi asokohe qe përkthyer vepra e saj e parë në gjuhën më të shtrirë të botës. “Vegjetariania” fillimisht në Britani të Madhe e më pas edhe në Shtetet e bashkuara të Amerikës do të kapte shpejt penat e kritikëve. E më 2016 do të ishte laureate e “International Booker Prize” po me këtë vepër. Në shqip, ky roman erdhi më 2018. Shkrimtarja në mëzomoshë është vlerësuar lart nga Akademia Suedeze.
Kryetari i Komitetit të “Nobelit”, Anders Olsson ka lexuar një arsyetim të gjatë për vendimin që kanë marrë. Ka treguar se i ati i laureates ishte një romancier me reputacion. Krahas shkrimit, Kang është e përkushtuar edhe ndaj muzikës.
Karrierën do ta fillonte më 1993 me botimin e një numri poezish në revistën “Letërsia dhe shoqëria”. Sipas biografisë së Kangut, të publikuar nga Akademia Suedeze, debutimi i saj në prozë erdhi më 1995 me përmbledhjen e tregimeve të shkurtra “Dashuria e Yeosu”, e ndjekur menjëherë më pas nga disa vepra të tjera në prozë, romane dhe tregime të shkurtra.
“I dallueshëm midis tyre është romani ‘Duart e tua të ftohta’ (2002), i cili mban gjurmë të dukshme të interesit të Han Kang për artin. Libri riprodhon një dorëshkrim të lënë pas nga një skulptor i zhdukur, i cili është i fiksuar pas bërjes së trupave të femrave në allçi. Ka një preokupim me anatominë e njeriut dhe lojën mes personazhit dhe përvojës, ku në punën e skulptorit lind një konflikt midis asaj që trupi zbulon dhe asaj që fsheh”, ka thënë Olsson. Ka cituar edhe pak nga libri. “Jeta është një fletë që lëviz mbi një humnerë, dhe ne jetojmë sipër saj si akrobatë të maskuar”, ka cituar ai për ta mbështetur analizën paraprake.
“Sikur të isha 100 për qind e shëndetshme, s’do të bëhesha shkrimtare”
Si zbulim të madh ndërkombëtar, kryetari i Komitetit e ka paraqitur veprën “Vegjetariania”, teksa ka sqaruar se i shkruar në tri pjesë, libri portretizon pasojat e dhunshme që vijnë kur protagonistja e veprës Yeong-hye që refuzon t’u nënshtrohet normave të marrjes së ushqimit. Vendimi i saj për të mos ngrënë mish pritet me reagime të ndryshme. Dalin në pah edhe telashe familjare.
“Sjellja e saj refuzohet me forcë si nga bashkëshorti, ashtu edhe nga babai i saj autoritar, dhe ajo shfrytëzohet erotikisht dhe estetikisht nga kunati i saj, një video-artist që fiksohet pas trupit të saj”, ka thënë Olsson. Sipas shpjegimit, më pas ajo përfundon në një klinikë psikiatrike në tentim për ta kthyer në “normalitet”.
“Megjithatë, Yeong-hye zhytet gjithnjë e më thellë në një gjendje të ngjashme me psikozën e shprehur nëpërmjet ‘pemëve flakëruese’, një simbol për një mbretëri bimore që është sa joshëse aq edhe e rrezikshme”, ka thënë Olsson. Kjo vepër ka bërë bujë të madhe. Pasi u bë shkas që Kang të jetë laureate e “International Booker Prizre”, interesimi mediatik dhe ai i kritikës për këtë roman dhe për autoren janë rritur ndjeshëm. Në fund të vitit 2017, në një intervistë për “The Guardian”, Kang do të thoshte prerazi: “Sikur të isha 100 për qind e shëndetshme, s’do të bëhesha shkrimtare”. Në atë rast është e hapur dhe ka disa shpjegime se përse shëndeti është i lidhur direkt me krijimtarinë. Tregon se e ëma, duke qenë shtatzënë me të, kishte vuajtur shumë nga shëndeti dhe kishte konsumuar shumë ilaçe. Madje i kishte shkuar mendja për abort, por kishte ndërruar hesapi pasi fetusi kishte nisur të lëvizë.
“Mendoj se bota është kalimtare dhe kam ardhur në këtë botë nga fati”, kishte thënë ajo. Kishte treguar se ka telashe me migrenën, po njëkohësisht ajo i bën me dije se duhet të pushojë e të ndalë angazhimet ditore. Sa i përket librit të saj me nam botëror “Vegjetariania” kishte thënë se e ka ndihmuar shumë në popullaritet, por pak kohë më vonë e kishte parë se do të donte t’i kthehej privatësisë paraprake.
“Është e pamundur të kujdesesh për vëmendjen që është ndaj teje dhe të vazhdosh të shkruash”, do të thoshte ajo.
Përkthimi në shqip që lindi nga kureshtja për vegjetarianët
Jehona e veprës së saj në këto anë do të vinte më 2018. Bujar Hudhri, i cili drejton shtëpinë botuese “Onufri” i ka thënë të enjten KOHËS se veprën po e lexonte e bija e tij, vegjetariane. Hudhri ka treguar se si prind ishte bërë kurioz të lexojë veprën pasi e kishte të bijën vegjetariane.
“Doja të dija si prind se çfarë është vegjetariani. Kjo është arsyeja pse nisa përkthimin”, ka thënë ai. Sipas botuesit, zakonisht veprat e aziatikëve i përkthen nga anglishtja. Por në këtë rast, përkthimi në anglisht i Deborah Smith nuk ia kishte mbushur mendjen. Për këtë ishte bazuar edhe në një studim të një profesori universitar të Seulit, i cili kishte konstatuar se përkthimi nuk qëndron.
“Unë e përktheva nga rusishtja, sepse në rusisht e kishte përkthyer një koreane që ishte dekane e Fakultetit të Gjuhëve Orientale në Shën-Petersburg. Megjithatë, kam konsultuar edhe variante në gjuhë të tjera. Madje edhe vërejtjet që janë bërë, i kam pasur parasysh”, ka rrëfyer Hudhri. Sipas tij, në këtë vepër thelbi nuk janë vegjetarianët.
“Është libër për të kuptuar se përse vegjetarianët nuk hanë mish pasi, sipas vegjetarianëve, nuk ke të drejtë që për të ekzistuar ti, t’i hash jetën tjetrit. Metafora në këtë rast është vrazhdësia e jetës së sotme njerëzore. Ky libër është kundër dhunës”, ka thënë Hudhri.
Sipas tij, vetë autorja është bërë vegjetariane në moshën e adoleshencës kur kishte parë një libër në bibliotekën e të atit të saj, i cili ilustrohej me fotografi nga studentët e përgjakur pas një proteste në Seul.
“Pra dhuna e gjaku nuk duhet të jenë të pranishme”, ka thënë ai. Ka sqaruar se letërsia në Korenë e Jugut është në hov dhe më avangarde janë femrat edhe si numër, edhe si cilësi. Ka thënë se dikur Amerika Latine vërshonte me letërsi por tash popujt aziatikë janë në avaz. Ka treguar se si shtëpi botuese do të përkthejnë edhe vepra të tjera të nobelistes, pasi tash interesimi do të jetë më i lartë.
Novatore në prozën e pamëshirshme politike
Midis veprave të autores që ka gjasë të përkthehen në shqip është edhe “Era fryn, shko” që paraqitet si roman kompleks për miqësinë dhe artin, në të cilin pikëllimi dhe dëshira për transformim janë fort të pranishme.
Sipas Komitetit të Akademisë Suedeze, empatia e Han Kang për historitë ekstreme të jetës përforcohet nga stili i saj metaforik gjithnjë e më i ngarkuar. “Mësimet greke” vjen si portretizimi magjepsës i një marrëdhënieje të jashtëzakonshme midis dy individëve të cenueshëm.
“Një grua e re, e cila, pas një sërë përvojash traumatike, ka humbur fuqinë e të folurit, lidhet me mësuesin e saj të greqishtes së vjetër, i cili vetë po humbet shikimin. Nga të metat e tyre përkatëse, zhvillohet një lidhje e brishtë dashurie. Libri është një meditim i bukur rreth humbjes, intimitetit dhe kushteve…”, është analiza që i bën Komiteti kësaj vepre.
Te “Veprat njerëzore”, autorja i kthehet vendlindjes, Gwangju ku më 1980 do të bëhej masakër ndaj studentëve.
“Në përpjekje për t’u dhënë zë viktimave të historisë, libri përballet me këtë episod me aktualizim brutal dhe, duke vepruar kështu, i afrohet zhanrit të letërsisë dëshmuese. Stili i Han Kang është sa vizionar aq edhe i përmbledhur, megjithatë devijon nga pritshmëritë tona si zhanër, dhe është një dobi e saj e veçantë që të lejojë që shpirtrat e të vdekurve të ndahen nga trupat e tyre, duke i lejuar ata të shohin asgjësimin e tyre”, ka thënë Olsson. Në këtë rast, veprën e ka krahasuar edhe me tragjedinë e “Antigonesë” së Sofokliut.
Veprat e Han Kang përshkruhen si ekspozim i dyfishtë i dhimbjes midis mundit dhe dhimbjes mendore e edhe asaj fizike.
“Në veprën e saj, Han Kang përballet me trauma historike dhe norma të padukshme dhe, në secilën prej veprave të saj, ekspozon brishtësinë e jetës njerëzore. Ajo ka një vetëdije unike për lidhjet midis trupit dhe shpirtit, të gjallëve dhe të vdekurve, dhe në stilin e saj poetik dhe eksperimental është bërë një novatore në prozën bashkëkohore”, ka përfunduar kryetari i Komitetit të Akademisë suedeze, Olsson.
Autorja koreane është vlerësuar edhe nga profesorë e studiues të letërsisë. Të enjten nëpërmjet telefonit, Ankhi Mukherjee, profesoreshë e letërsisë në Universitetin e Oxfordit i ka thënë “The New York Times” se ka dy dekada që lexon veprat e Kang.
“Shkrimi i saj është pamëshirshëm politik – pavarësisht nëse është politika e trupit, gjinisë, e njerëzve që luftojnë kundër shtetit – por nuk e lëshon kurrë imagjinatën letrare. Nuk është kurrë shenjtërore, është shumë lozonjare, qesharake dhe surreale”, ka thënë ajo.
Çmimi “Nobel” për letërsi është përballur prej kohësh me kritika se është shumë i përqendruar te shkrimtarët evropianë dhe amerikano-veriorë. Po ashtu, ka qenë i dominuar nga meshkujt, me vetëm 17 gra në mesin e 119 laureatëve të çmimit deri të enjten. Gruaja e fundit që e fitoi atë ishte francezja, Annie Ernaux, në vitin 2022. Vjet laureat ishte norvegjezi Jon Fosse. E sivjet listës së fituesve i është shtuar edhe një grua, e cila bashkon historitë reale me ato surreale, duke prekur njerëzit nëpërmjet artit të letërsisë. Kang prej së enjtes është bërë emër i padiskutueshëm në letërsinë botërore, e ritmi i përkthimit e botimit të veprave të saj do të rritet. Historitë ku trupa e mendje dhe të gjallët e të vdekurit ndërveprojnë, do ta vërshojnë globin.