1 Nëntor 2018 / 15:00
Problemet infrastrukturore si papastërtia, uji i pijshëm, çatia shkollës fillore Goce Dellçev, dhe Deponia Rusino, janë disa nga problemet të cilat i apostrofojnë banorët e Gostivarit, një vit pasi me këtë Komunë kryeson Arben Taravari. Gostivarasit kërkojnë nga Taravari, që të fokusohet më tepër tek pastërtia dhe trafiku rrugor.
“Qyteti i Gostivarit me rrethinën ka problem me ujësjellësin, kusht elementarë për jetë është uji, aty duhet të koncentrohet më tepër ta zgjidh problemin”.
“Duhet të ketë në xhep pastaj të bëj për qytetin. Për rininë duhet punë asgjë tjetër s’na duhet”.
“Ka ndryshime ka por duhet edhe shumë më tepër të ketë. Unë do kërkoja një kujdes më të madh për higjienën e qytetit. Dhe të pastrohet ajo që duhet pastruar, tjetër skam çka të them”.
“Inspektorati duhet të punojë më shumë, sidomos me këto ushqimet që shiten në rrugë. S`ka higjienë nga njerëzit që merren me atë punë”.
Edhe përkundër kësaj, Taravari e vlerëson të suksesshëm njëvjetorin e udhëheqjes me Komunën e Gostivarit.
Ndërtimet e egra janë minimizuar. Janë legalizuar 954 objekte ilegale. Buxheti i komunës së Gostivarit deri në fund të vitit do ketë një realizim mbi 80 për qind, pa asnjë rebalanc ndryshim apo shkurtim të buxhetit. Shënojmë rritje të dukshme të të hyrave buxhetore nga taksat komunale në nivel prej rreth 10 për qind”- u shpreh Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.
Opozita në Gostivar me kritika për mosrealizimin e premtimeve.
Premtove brenda dy tre muaj rregullimin e çatisë së shkollës Goce Dellçev, por kaluan 365 ditë ende pa e bë. Deponia është në gjendje të mjerueshme, investitorët askund. Premtove riaktivizim të fabrikave dhe zonë industriale. Premtove transport publik. Premtove parking në kate. Premtove që do punosh si mjek, ky është i vetmi premtim që e mbajte”- theksoi Bashkim Hasani, dega e BDI-së Gostivar
Taravari që në fillim të mandatit u përball me probleme të shumta si gjatë konstituimit të këshillit po ashtu edhe me marrjen e ingerencave në sferën e arsimit nga ekzekutivi.
Bashkim Sulejmani


