Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy bashkëshortëve të dyshuar për veprën penale – Marrëdhënie seksuale me keqpërdorim të pozitës, sipas nenit 189 paragrafi 2 të Kodit Penal, njofton TV21.
“I dyshuari, njerku i viktimës, për një periudhë të gjatë kohore e ka keqpërdorur pozitën e tij dhe e ka detyruar vajzën e lindur në vitin 2009, e cila i ishte besuar për kujdes dhe edukim, në marrëdhënie seksuale dhe veprime të tjera seksuale.
Në këto veprime ka kontribuar edhe nëna e vajzës, e cila, megjithëse ka ditur, nuk e ka denoncuar dhe as nuk e ka penguar të dyshuarin. Me këtë ajo nuk e ka mbrojtur fëmijën nga keqpërdorimet, edhe pse vajza disa herë ka kërkuar ndihmë prej saj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Bëhet e ditur se prokurori publik ka propozuar që ndaj njerkut të dyshuar të caktohet masë paraburgimi, ndërsa ndaj nënës së dyshuar të vendosen masa kujdesi. Prokurori do të bashkëpunojë me Qendrën për Punë Sociale për të ndërmarrë veprime për strehimin e tre fëmijëve të mitur të familjes, përfshirë edhe viktimën.


