Është Zbardhur dinamika e atentatit të rëndë që tronditi mesditën e sotme zonën e Balldrenit në Lezhë, ku mbetën të vrarë Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.
Sipas raportimeve, çifti kishte konsumuar drekë në një lokal në qytetin e Lezhës dhe ishte nisur drejt banesës së tyre në momentin kur ndodhi atentati.
Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë organizuar një pritë të mirëfilltë, duke përdorur dy automjete. Njëri prej tyre i ka bllokuar rrugën mjetit tip “Audi Q7” me të cilin udhëtonin bashkëshortët.
Menjëherë më pas, në vendngjarje është afruar një automjet i dytë, pa targa, dyshohet tip “Alfa Romeo”, nga i cili kanë zbritur dy persona të armatosur. Këta të fundit kanë hapur zjarr me armë automatike kallashnikov, duke qëlluar me breshëri në drejtim të çiftit.
Për pasojë, Kreshnik dhe Gentiana Mujeci kanë ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa automjeti i tyre është gjetur i dëmtuar rëndë nga dhjetëra plumba.
Autorët, sipas burimeve, kanë ndjekur lëvizjet e viktimave gjatë gjithë ditës, duke pritur momentin kur ata do të ktheheshin drejt banesës.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar kamera sigurie nga banesa dhe biznese përreth, të cilat kanë filmuar të gjithë dinamikën, që nga momenti i bllokimit të rrugës deri te ekzekutimi.
Trupat e pajetë të çiftit kanë qëndruar për rreth 15 minuta brenda automjetit, deri në ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse që bënë të mundur nxjerrjen e tyre. Mësohet se viktimat ishin prindër të katër fëmijëve dhe banonin në fshatin Koljakaj, në Balldren.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe po punon për analizimin e pamjeve filmike, të cilat konsiderohen prova kyçe për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në vendngjarje janë gjetur mbi 30 gëzhoja, ndërsa hetimet po vijojnë në disa pista.
FAMILJA HEDH POSHTË PISTËN E HAKMARRJES
Ka qenë kushëriri i 39-vjeçarit Kreshnik Mujeci, avokati Gjergj Neli, ai i cili përmes një deklarate publike hodhi poshtë pistën e hakmarrjes dhe bëri thirrje që ngjarja të hetohet në drejtime të tjera. Sipas tij, këto pretendime janë të pavërteta dhe të pabazuara, ndërsa thekson se familja Mujeci nuk ka asnjë konflikt të tillë.
“Njëkohësisht, dënojmë publikisht deklarimet e disa mediave, të cilat kanë aluduar se kjo ngjarje lidhet kryesisht me motive hakmarrjeje, meqenëse gjaku dhe fisi i Mujeçëve nuk u kanë asnjë detyrim. Versione të kësaj natyre edhe mund të jenë një nga pistat e dyshuara për organet ligjzbatuese, por këshillojmë moslënien në harresë edhe të pistave të tjera të dyshimta për ngjarjen kriminale të ndodhur”, shkruan ai.
Gjithashtu, ai sqaron se përmendja e një ngjarjeje të vitit 2017 në Malin e Jushit është e pavend, pasi çështja është trajtuar dhe mbyllur nga organet e drejtësisë, ku Mujeci nuk është gjetur fajtor nga Prokuroria dhe gjykatat përkatëse.
Postimi i plotë:
Deklaratë Publike
Per ngjarjen e Rende dhe Makabre te
Atentatit ndaj Kreshnik Mujecit me familje
Me mallengjim dhe me keqeardhje morem vesh njoftimin e hidhur, në lidhje me ngjarjen e rëndë të nje atentanti te ndodhur sot në fshatin Balldren, Njësia Administrative Balldre, Bashkia Lezhë, ku humbën jetën tragjikisht shtetasit Kreshnik Mujeci dhe Gentjana Mujeci, ndaj per kete atentat makaber
shprehim dhimbjen e thellë dhe solidaritetin me familjarët e viktimave në këtë moment të vështirë.
Dënojmë me forcë këtë akt të rëndë kriminal dhe kërkojmë nga organet ligjzbatuese zbardhjen e plotë dhe të shpejtë të ngjarjes, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve.
Njëkohësisht, dënojmë publikisht deklarimet e disa mediave, të cilat kanë aluduar se kjo ngjarje lidhet kryesisht me motive hakmarrjeje, meqenese gjaku dhe fisi Mujeceve nuk u kane asnje deryrim, versione te kesaj natyre edhe mundet te jene me nje nga pistat e dyshuara per organet ligj-Zbatuese, por keshellojme mos lenjen ne harrese dhe pista te tjera dyshimj per ngjarjen kriminale te ndodhur.
Kreshnik Mujeci ka qene nje familjar i rregullt dhe i dashur dhe i rrespektuar me te afermit dhe me te gjithe komunitetin per rreth Lezhes dhe Shkodres, i cili merrej me Blegtori se bashku me bashkeshorten e ndjere per te perballuar jetes normale ne sherbim te familjes.
Këto pretendime janë të pavërteta dhe të pabazuara pertej Çdo dyshim në lidhje me ngjarjen e vitit 2017 në Malin e Jushit per te cilen është trajtuar dhe ezauruar nga organet kompetente, përkatësisht Prokuroria e Shkodrës, si dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit Shkodër.
Në përfundim të këtyre proceseve, shtetasi Kreshnik Mujeci nuk është gjetur fajtor në lidhje me atë ngjarje. Për rrjedhojë, çdo përpjekje për ta lidhur ngjarjen e sotme me pretendime të tilla është e papranueshme dhe cenon të vërtetën, si dhe rëndon padrejtësisht mbi familjen e viktimave.
U bëjmë thirrje mediave të tregojnë përgjegjësi profesionale, të verifikojnë informacionin dhe të shmangin përhapjen e lajmeve të pasakta që mund të ndikojnë negativisht në opinionin publik dhe në dinjitetin e familjeve qe prosupizohet të përfshira ne konflikt.
Per kete Kërkojmë drejtësi dhe zbardhjen e ngjarjes, transparencë të plotë për këtë ngjarje makabre dhe të rëndë.
Zoti forcofte famjljaret dhe gjithe miqesine kudo te jene
Lamtumire kusherini jem!
Lamtumire kunate !
Pushofshi ne paqen e zotit!


