Destan Jonuzi
Fushata dyjavore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025 përfundon sot, ndërsa vendi hyn në heshtje zgjedhore që do të zgjasë deri të dielën në orën 19:00. Të dielën, më 2 nëntor, qytetarët në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit do të zgjedhin kryetarët e rinj të komunave, ndërsa në komunën Shuto Orizarë do të zhvillohen rizgjedhje për anëtarë të Këshillit në tre qendra votimi. Sipas procedurës ligjore, të sëmurët, të pafuqishmit, të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak do të votojnë një ditë më herët, të shtunën.
Por përtej kalendarit formal të procesit zgjedhor, raundi i dytë është shndërruar në një test politik dhe moral për mënyrën si pozicionohen forcat shqiptare në skenën e re politike të Maqedonisë së Veriut.
“Vlen” faktor politik
Koalicioni “Vlen”, që në nisje u perceptua si eksperiment elektoral, sot po konfirmohet si aktor real dhe serioz politik. Edhe pse në raundin e dytë nuk garon me kandidatë të vet në dy komuna, Izet Mexhiti dhe drejtuesit e koalicionit kanë shfaqur një pjekuri politike të dallueshme, duke zgjedhur të mbështesin kandidatë të pavarur në Strugë dhe Studeniçan. Kjo qasje tregon se për “Vlen”, politika nuk është më arenë e inateve personale, por mekanizëm strategjik për rritje afatgjatë.
Rezultatet e raundit të parë konfirmuan këtë ndryshim: kandidati i “Vlen” për Qytetin e Shkupit, Bashkim Bakiu mori mbi 28 mijë vota, duke qenë për pak hapa larg hyrjes në raundin e dytë – një rezultat historik, që për herë të parë sfidoi dominimin e deritanishëm të strukturave tradicionale në kryeqytet.
Ky sukses nuk është vetëm aritmetikë elektorale. Ai përfaqëson një ndryshim paradigmatik: elektorati shqiptar i lodhur nga retorika boshe dhe korrupsioni rutinë, po kërkon përfaqësim të ri, më transparent dhe më bashkëkohor.
AKI/BDI – një strukturë në vetëshërbim politik
Në anën tjetër të spektrit, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) – amalgam politik midis BDI-së dhe bashkëngjitjeve të momentit – duket se po funksionon më shumë si strukturë mbijetese sesa si projekt politik. Në retorikën publike, ajo flet për “integrim”, por në praktikë shpesh prodhon asimilim të çdo vlere të re që mund të sfidojë status quo-në. Nën petkun e “çështjeve kombëtare”, AKI është kthyer në një laborator të reciklimit të figurave të konsumuar.
Kjo është ndoshta ironia më e madhe e tranzicionit shqiptar në Maqedoni: një subjekt që për më shumë se dy dekada predikon integrim, por integron kryesisht vetveten në çdo qeveri, pavarësisht kush e udhëheq e jo shqiptarët, as vendin në BE.
Një epokë e re politike
Në këtë kontekst, qëndrimi i “Vlen” për të mos garuar verbërisht në çdo komunë, por për të mbështetur kandidatë të pavarur, përbën një shenjë të qartë se strategjia e saj është institucionale, jo emocionale. Ajo po ndërton kapital politik jo vetëm në terren, por edhe në perceptim, duke fituar besimin e një elektorati racional që kërkon politikë me përmbajtje, jo vetëm me flamur.
Ndërsa heshtja zgjedhore hyn në fuqi sonte në mesnatë, në heshtjen politike shqiptare fillon të dëgjohet zëri i ndryshimit. Dhe në këtë zë, “Vlen” po fiton jo vetëm terren elektoral, por edhe legjitimitet moral dhe intelektual për të artikuluar një kapitull të ri të përfaqësimit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
 
		


