“Në dhjetor të vitit të kaluar, në prag të përvjetorit tonë – 45 vjet nga ekzistimi i brendit për fëmijë ‘Bekutan’ – filluam të ashtuquajturin kumbarizëm dhe bashkëpunim me SOS Fshati i Fëmijëve. Ne kujdesemi për pesë fëmijë nga mosha pesë deri në trembëdhjetë vjeç për gjithçka që është e nevojshme për të jetuar atje. Gjatë vitit është ndarë një përqindje e caktuar nga shitjet e koleksionit tonë për fëmijë dhe janë mbledhur më shumë se 2 milionë denarë, të cilët do t’i dhurohen SOS Fshatit të Fëmijëve. Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm kalendarik”, tha Zhivko Mukaetov, drejtor gjeneral dhe kryetar i bordit drejtues të “Alkaloid AD” Shkup.
Juliana Nakova-Gapo, drejtoresha nacionale e SOS Fshatit të Fëmijëve, duke shprehur mirënjohjen për këtë bashkëpunim dhe duke theksuar rëndësinë e ndihmës së donatorëve për fëmijët e përkujdesur në këtë lokalitet, tha:
“Alkaloid, si partner strategjik i SOS Fshatit të Fëmijëve, ka një vit që e përkrah kauzën tonë për të ndihmuar fëmijët pa përkujdesje prindërore përmes brendit më të madh maqedonas ‘Bekutan’ dhe përmes sponsorizimit të një shtëpie në Fshatin e Fëmijëve SOS. Ndikimi i mbështetjes së Alkaloid shkon përtej ndihmës financiare, mundëson stabilitet dhe zhvillim. Falenderojmë donatorin për angazhimin e tij ndaj kauzës sonë”.
Si pjesë e partneritetit, përveç lehtësimit financiar të kostove aktuale, është ofruar edhe mbështetje e vazhdueshme arsimore për fëmijët dhe kjo ka kontribuar për të lehtësuar aksesin në këshillim dhe trajtim profesional për të kapërcyer sfidat e zhvillimit të fëmijëve në familje.
Në kuadër të Fshatit të Fëmijëve SOS, përvjetori i parë i këtij bashkëpunimi njerëzor u festua edhe përmes një ekspozite vizatimesh, të vizatuara posaçërisht për këtë rast nga fëmijët e SOS fshatit të fëmijëve, me temën “Dashuria është…”, ku çdo vizatim do të shpërblehet nga “Becutan”, sepse secili nga fëmijët është fitues në misionin e quajtur dashuri! Të gjitha vizatimet e mrekullueshme të fëmijëve do të prezantohen në një pjesë të fushatave të ardhshme të kompanisë “Alkaloid” lidhur me koleksionin për fëmijë “Becutan”.
SOS Fshati i Fëmijëve funksionon mbi parimin e donacioneve nga individë, kompani, institucione dhe nga forma të ndryshme partneriteti. Të gjithë mund të dhurojnë dhe fondet e dhuruara përdoren ekskluzivisht për nevojat e fëmijëve në përkujdesje. Linku për donacione është: https://sos.org.mk/doniraj-33/