Një vepër kapitale, fjalori serbisht-shqip

Një vepër kapitale, fjalori serbisht-shqip

Autor i kësaj vepre monumentalë është shkrimtari e publicist i njohur, Rexhep Zllatku, ndërkaq e botoi Logos A, Shkup

 

Kohë më parë doli nga shtypi Fjalori Serbisht-Shqip, vepër kapitale kjo e Rexhep Zllatkut, me një fond prej rreth 80 000 fjalësh!

Rexhep Zllatku është doajen i gazetarisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, një prej penave më produktive në letrat shqipe. Kjo vepër e fundit e tij do të ngelë monumentale për faktin se është produkt personal i dalë nga një punë shumëvjeçare, i cili, në fakt, do të duhej të ishte produkt i  institucioneve nacionale, akademive.

Rexhep Zllatku në aktivitetin e vet krijues gjithnjë është shquar si një lërues i posaçëm, me një përkushtim e profesionalizëm të pashoq, duke sjellë vepra shumë të rëndësishme në publicistikë, në letërsi dhe, së fundmi, edhe në gjuhësi.

Fjalori, si një inventar i fjalëve të një gjuhe në njërën anë dhe, në anën tjetër, përkthimi i tyre në një gjuhë të caktuar, me shpjegime të hollësishme leksikografike, gramatikore, sintaksore etj., është një vepër, zakonisht e një ekipi akademikësh, një punë jashtëzakonisht voluminoze, e gjatë, që kërkon përkushtim profesional, përgatitje dhe një kulturë të theksuar gjuhësore.

Fjalori Serbisht-Shqip i Rexhep Zllatkut shumë shpejt do të bëhet si një prej fjalorëve më të kërkuar dhe më të përdorur. Si pasojë e politikave fashisoide të një periudhe të caktuar që ka kultivuar Serbia në raport me shqiptarët e rajonit, ka ardhur edhe deri te shkëputja e kontakteve dhe mosnjohja e ndërsjellë e gjuhëve respektive, sidomos nga gjeneratat e reja. Nga ana tjetër, kërkesat që shtrohet nga tregjet e reja, tërësisht të lira, nevojat për bashkëpunim ndërfqinjësor, ndër-rajonal e më gjerë, njohja e ndërsjellë me këto dy gjuhë do të jetë nevojë imediate. Prandaj, Fjalori i Rexhep Zllatkut na vjen si një rezultat i një pune profetike në momentin dhe kohën e duhur.

Së këndejmi, edhe vendimi i Shtëpisë Botuese LOGOS A për ta botuar këtë vepër të Rexhep Zllatkut, është një prej vendimeve më të rëndësishme që mund të dalë vetëm nga institucionet nacionale serioze, që me përkushtim profesional jepen pas botimit të veprave kapitale. Ky botim do të jetë një prej investimeve më domethënës të LOGOS A, që bën që kjo Shtëpi të rangohet ndër pozitat më të larta të produksioneve letrare kombëtare. (A.H.)