Shkruan: Latif Mustafa
Rexhep Tajip Erdogan shpesh është cilësuar si “pasardhës” i mendësisë politike të Abdylhamidit II. Ndërkaq Abdylhamidi II njihet për politikat e tij shumë elastike ndaj Perëndimit, për rimëkëmbjen infrastrukturore dhe ekonomike, njihet si udhëheqësi osman, i cili më së shumti ka ndërtuar shkolla, spitale dhe hekurudha gjatë periudhës së tij të sundimit, si dhe politikat e tij të “hinterlandit” ose politikat zhvillimore në rajonet me të cilat ishte i rrethuar Anadolli: Ballkani, Shami, Hixhazi dhe Kaukazi. Ngjashëm si Sulltan Abdylhamidi II, Rexhep Tajip Erdogan ushtroi politika duke e shndërruar Turqinë nga një shtet kombëtar në një shtet qytetërimor, duke e shtrirë ndikimin e tij përmes investimeve të shumta në infrastrukturë dhe burime njerëzore në rajonet që ndodhen përreth Turqisë: Ballkanit, Lindjes së Mesme, Kaukazit dhe Afrikës Veriore ose “hinterlandit” të Sultan Abdulhamidit II.
Pa u futur në detajet e sukseseve ekonomike dhe politike të Turqisë dhe AK Partisë në raport me Presidentin e Turqisë, një gjë që është shumë e rëndësishme të përmendet është edhe cilësia e tij prej lideri që tashmë është mishëruar në filozofi politike. Me t’u ngjitur në skenën politike gjatë fjalimit në Parlamentin Evropian, ai theksoi se ka ardhur në pushtet për të ndërtuar një qytetërim të ri, teori kjo që dukej e largët për t’u realizuar, por teorikisht ishte goxha e shqyrtuar nga akademikët e spikatur turq. Kjo ndërmarrje e re politike, u quajt neo-ottomanizëm, neo-turqizëm, pan-islamizëm si dhe erdoganizëm, koncepte këto që përmbanin në shumë raste tone poshtëruese sesa teorike, madje në shumtën e rasteve u profetizua dhe u akuzua për shembje dhe rrënim të laicitetit.
Por, Rexhep Tajip Erdogan e shtyu Turqinë edhe përtej këtyre koncepteve koniunkturale. Turqia akoma vazhdon të jetë një shtet laik me një kushtetutë të modelit francez, por përtej kësaj, ai e bëri Turqinë një shtet qytetërimor së bashku me një ekip akademikësh të fushave të ndryshme në kokë me kryeakademikun, prof. dr. Ahmet Davutolgu, i cili më vonë do të bëhet edhe kryearkitekti i politikës së jashtme dhe tashmë kryeministër i Turqisë. Ideja e shtetit qytetërimor, që bazohej në paradigmën e pamjaftueshmërisë së shteteve nacionale dhe nevojën e tyre për bashkësi më të mëdha politike, por edhe në filozofinë protagoriane, “njeriu është masa e të gjitha gjërave” ose, thënë në një fjalë, humaniteti ose njerëzorja ishte fuqia shtytëse që e mbante gjallë diplomacinë dhe politikëbërjen e brendshme të Republikës së Turqisë.
Problemi i Sirisë, themelimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve, luftimi i strukturave paralele akomodimi i partisë kurde brenda sistemit, do të jenë disa nga sfidat kryesore ndër shumë sukseset që ka realizuar kjo qeveri nën udhëheqjen e liderit karizmatik Rexhep Tajip Erdogan. Mes tjerash janë pesë momente kryesore që e ilustrojnë paradigmën protagoriane qytetërimore ose humanocentrizmin e politikave të Turqisë.
Momenti i parë është debati mes ish-presidentit të Izraelit, Shimon Perez, dhe Rexhep Tajip Erdoganit, në atë kohë (2009) kryeministër i Turqisë, ku ai bën denoncimin karshi kriminalitetit dhe gjenocidit të shtetit izraelit ndaj palestinezëve në Bregun Oerëndimor dhe në Gaza. Ngjarja e Davosit është moment që shpesh interpretohet si humbje e kontrollit dhe lëshim në emocione nga ana e Erdoganit, por prapaskena e këtij “shpërthimi” qëndronte në përpjekjet maratonike të Erdoganit për ta ulur Sirinë dhe Izraelin për të nënshkruar një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjate mes këtyre dy shteteve, më vitin 2009, përpjekje kjo që kishte shkuar huq kur krejt papritmas Izraeli e godet Gazën, duke vrarë me mijëra civilë të pafajshëm. Gjithkush ishte gjunjëzuar para Izraelit, fëmijës së llastuar të SHBA-ve në Lindjen e Mesme, shtetit të vetëm kolonialist që kishte mbetur akoma “gjallë” që nga periudha e kolonizimit anglez. Ngritja e zërit ndaj njeriut të parë të Izraelit u bë një fije shprese për popullin më të shkelur në botë, pra popullin palestinez.
Normalisht kostoja e Davosit ose, siç njihet, “one minute”, do të jetë e lartë, si me rastin e anijes Mavi Marmara dhe krejt kjo odiseadë do të përfundojë me fitoren në drejtësinë në gjyqin ndërkombëtar dhe me kërkim-faljen e Izraelit ndaj Turqisë me pranim për të paguar dëmshpërblimin, kërkim-falje kjo e dyta e Izraelit, pas asaj që u kishte bërë SHBA-ve më 1968.
Momenti i dytë që është me rëndësi është aktivizimi i një agjencie si “Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA”. Hapja e Turqisë ndaj botës për herë të parë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Lozanës, si ide hidhet nga Presidenti Turgut Ozal, një burrështetas i cili njihet edhe për politikën e neo-ottomanizmit. Por, i pari që praktikisht aktivizoi “Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA” është presidenti i Turqisë, atëherë kryeministër i vendit, Rexhep Tajip Erdogan gjegjësisht më vitin 2002. Investimet e TIKA-s ka qenë kryesisht infrastrukturore, shkolla, spitale, ujësjellës, rrugë, restaurim dhe ndërtim të objekteve të trashëgimisë kulturore, pa dallim feje dhe kombi, si dhe ka siguruar ndihmesa bizneseve të vogla dhe të mesme. Përmes kësaj agjencie, Republika e Turqisë ka arritur të ndërtojë një infrastrukturë të mirë në shtetet e dala nga lufta ose shtetet me të ardhura të dobëta nacionale.
Momenti i tretë me rëndësi është organizimi i studimeve në Turqi përmes drejtorisë së diasporës në kuadër të kryeministrisë, projekt ky që mbledh afërsisht çdo vit afërsisht pesë mijë studentë nga 180 shtete të botës, me theks të veçantë nga Afrika, Lindja e Mesme, Ballkani dhe shtetet e Kaukazit. Ky program është program shtesë në kuadër të programit për bursa që jepeshin nga Ministria e Arsimit. Në kuadër të këtij programi çdo vit vetëm nga Ballkani, posaçërisht nga trojet shqiptare: Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, në një shifër mesatare prej 300 studentësh, në të gjitha nivelet: studime elementare, master dhe doktoraturë, pa përfshirë specializimet mjekësore dhe studentët që vijnë me bursa private dhe përmes programeve ndërshtetërore. Deri më vitin 2023, kur edhe Turqia feston 100-vjetorin e themelimit të saj, përmes projektit “Projekti i madh studentor”, ajo synon t’i kthejë në vendet e tyre mbi 100 mijë studentë nga e tërë bota, kurse në trojet shqiptare diku 5 mijë akademikë të niveleve dhe me specializime të ndryshme profesionale, bazuar në trendët dhe kuotat aktuale. Ky program, përpos ofrimit të një edukimi kualitativ, synon të mbjellë një botëvështrim të zgjeruar qytetërimor mbi ecurinë lineare të historisë, duke filluar nga qytetërimi kinez, indian, grek, islamik dhe perëndimor. Indi konceptor i këtij botëvështrimi qëndron në idenë e shtrirjes së identiteteve nacionale dhe shtetërore përtej, drejt identiteve qytetërimore, me ç’rast fton popujt e korpusit të njëjtë ontologjik të bashkohen në kuadër të një qytetërimi që ofron një model alternativ politik për organizimin global të botës. Ky projekt ka zënë fill në vitin 2009-2010, kur kryeministër ishte Rexhep Tajip Erdogan.
Momenti i katërt është menaxhimi i krizës siriane dhe vendosja e ekuilibrave sektarë ndërmjet synitëve dhe shpitëve, si dhe faktori më i besueshëm i NATO-s dhe kyç për zgjidhjen e problemit sirian. Me gjithë kritikat për neglizhencë, emocion dhe papjekuri diplomatike, përkundër të gjitha iniciativave dhe përpjekjeve nga shërbime të ndryshme ndërkombëtare për ta bartur konfliktin brenda Turqisë, Turqia nën udhëheqjen e AK Partisë me sukses e ka menaxhuar çështjen e Sirisë, kur kemi parasysh edhe pranimin e më shumë se dy milionë refugjatëve sirianë, të cilët jetojnë nën kushtet më të mira të mundshme, me të drejtë pune, sigurim shëndetësor dhe studentë, të gjithë të pranuar me bursë në universitetet e ndryshme të shtetit. Krahasuar me disa shtete të Evropës, ku refugjatët sirianë priten para telave me gjemba dhe kushte të mjerueshme jetese, krahasuar me shumë shtete të gjirit arabik, që nuk kanë pranuar po thuajse fare refugjatë, Turqia është një leksion shumë i mirë për njeriun modern, humanitetin dhe njerëzoren. Në këtë kontekst nuk duhet harruar edhe ndihmat në Arakan, Somali, te indianët e Amerikës dhe shteteve të tjera të prekura nga katastrofat natyrore.
Momenti i pestë, i cili ndoshta është më i rëndësishmi, është përpjekja e Republikës së Turqisë, që përmes iniciativave të ndryshme kulturore dhe edukative, të promovojë një vizion të ri për Islamin, i cili është antipod i interpretimeve radikale dhe monocentriste. Ky interpretim ngërthen në vete botëvështrimin shpirtëror të asketëve të Stambollit e të Konjës, estetikën poetike të Rumiut, muzikalitetin e Burhanizade efendiut, skepsën metodike të Gazaliut, filozofinë e qenies të Molla Sadras dhe organizimin social bazuar në organizimin e rendeve sufite të qytërimit, Emevit, Abasid dhe Osman.
Normalisht, ky shkrim nuk është shkrim për ta ekzaltuar dhe lavdëruar figurën e presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, sepse mjafton të bëhet një krahasim i Turqisë para vitit 2002 me atë të vitit 2015, fjalët janë të tepërta, pra edhe përkundër kritikave nga qarqe të ndryshme për autoritarizëm dhe gjëra të ngjashme.
Erdogan ishte arkitekti që e strukturoi dhe avancoi partinë, të cilën nga një model nacionalist/popullor të politikëbërjes e shndërroi në një parti me model politik qytetërimor, ku në qendër të paradigmës së saj zë vend njeriu dhe dinjiteti i tij, po ashtu duke u përpjekur që Republika e Turqisë të jetë fuqi më vete, e pavarur tërësisht nga shërbimet dhe ndikimet e shteteve imperialiste. Ndërkohë Turqia po përpiqet të bëhet njëra ndër 5 shtetet më të fuqishme të botës ekonomike dhe ushtarake. Qeverisja nën binomin Erdogan – AK Parti do të jetë mundësia për vazhdimin e të gjitha këtyre projekteve të cilat jo vetëm që do t’i kontribuojnë Turqisë dhe rajonit, por edhe do të jetë një mundësi për krijimin e paqes afatgjate në botën tonë kaq shumë të polarizuar.
Andaj, sikur të kisha të drejtë vote në Turqi ose, më mirë do të thosha, sikur të kisha një mundësi të votoja për një parti e karakterit të tillë me një lidership të tillë, parti që do më bënte të krenohesha me vendin tim, thjesht do ta votoja pa asnjë mëdyshje.