Zhvillimit aktual të qytetit të Vlorës në Shqipëri shumë shpejt do t’i shtohet një port turistik, shoqëruar edhe nga rezidenca luksoze për banim.
Marina Vlorë është investimi që do sjellë impulse të reja në ekonomi dhe është një investim i zgjuar për këdo që vendos të blejë një shtëpi në një prej gjireve më të mrekullueshme të Mesdheut, me një klimë të butë në dimër dhe tipike bredgetare në verë, në një vend si Shqipëria ku nga 365 ditë që ka viti, 300 janë ditë me diell.
Porti i ri do të zërë vendin e atij ekzistues industrial, për t’i dhënë Vlorës akses në linjat më të frekuentuara detare.
Porti i ri turistik do të lidhet në mënyrë harmonike me shëtitoren buzë detit (lungomaren) dhe më tej i hap mundësinë zgjatimit të saj drejt Pyllit të Sodës. Në këtë formë zona turistike dhe këmbësore e qytetit zgjatet duke krijuar një nga bulevardet më të gjata buzë detit në gjithë rajonin e Mesdheut.
Përfaqësues të konsorciumit që ka marrë përsipër këtë investim madhor shprehen se Vlora dhe gjithë bregdeti shqiptar e meriton një marinë të krahasueshme me ato që kanë vendet e rajonit dhe Marina Vlorë do të plotësojë pikërisht këtë mungesë. 2.8 miliardë lekë do të jetë vlera e investimit, e parashikuar të shtrihet përgjatë 3-4 viteve. Volumi i punimeve do të përballohet me anë të kompanive lokale, duke siguruar kështu qindra vende të reja pune.
Nisur dhe nga vetë natyra e projektit, pozicionet më të shumta të punës do jenë në inxhinieri marinash, inxhinieri navigimi, informacion dhe teknologji komunikimi, ndërtim, arkitekturë, si dhe profile të ndryshme ekonomike. Numri i të punësuarve parashikohet të kalojë 500 persona, duke dhënë kështu një kontribut të ndjeshëm në punësimin e banorëve.
Marina Vlorë do të ndjekë modelin e qendrave të ngjashme nëpër Europë, kurse në rajon mund të përmendim marinat në Malin e Zi apo Kroaci si më të afërtat. Marina planifikohet t’i sjellë ekonomisë së Vlorës rreth 4,3 milionë euro në vit të ardhura. Bashkë me hotelerinë, restorantet dhe aktivitetet e ndryshme të lidhura me të, kontributi arrin mbi 20 milionë euro në vit.
Marina Vlorë do të jetë vërtet një destinacion elitar, që do ta çojë turizmin shqiptar në një nivel tjetër.