Aksion policor në Shkup dhe Tetovë. Janë gjetur armë dhe municione të cilat janë konfiskuar. Një pjesë e armëve të gjetura është përdorur për dhunë familjare.
“Gjatë fundjavës dhe ditës së djeshme, jo vetëm në Shkup, por edhe në rajonin e Tetovës kemi zbuluar, detektuar dhe është konfiskuar një sasi e caktuar e armëve dhe municionit. Njëra ishte e shkurtër, tjetra armë më e gjatë që është e ndaluar sipas të gjitha parametrave që të posedohet, mbahet, e aq më pak të përdoret dhe ishte përdorur në një rast për dhunë familjare”, tha Aleksandar Janev, Drejtor i Byrosë për Siguri Publike.
Policia ka njoftuar për arrestimin e një 29 vjeçari, A.R nga Shkupi, ndaj të cilit është ngritur kallëzim për përpunim të paautorizuar, ndërmjetësim dhe tregtim me armë dhe materie shpërthyese si dhe për lëndime trupore. Ky person paraprakisht kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 33 vjeçare.
“Është kryer bastisje në shtëpinë e tij ku janë gjetur dhe konfiskuar 1.167 plumba të kalibrit të ndryshëm, pushkë automatike të kalibër 7.62 x 39 mm, pistoletë “Zoraki” për sinjalizim me zë dhe me drita, “Ranger” me kalibër 9 mm, pushkë pneumatike, një granatë dore, korniza për armë automatike, këllëfë armësh, pjesë të armëve të zjarrit, thika dhe mjete të tjera të rënda”, thonë nga MPB-ja.
Nga Byroja e Sigurisë Publike thonë se gjatë muajit të ardhshëm do të bëhet shkatërrimi i sasisë së konfiskuar të armëve, ndërsa në një të ardhme të afërt planifikohet aksion për dorëzim vullnetarë të armëve jo legale./Alsat/