Ky vend pune vazhdon të mbetet i lirë prej një muaji.
Prej kur ish-zëvendësministri i punës dhe politikës sociale Elmi Aziri dorëzoi dorëheqjen pas daljes së Aleancës për Shqiptarët nga qeveria, kjo karrigë ka mbetë bosh.
Ai thotë se ka dorëzuar veturën, celularët dhe dokumentet zyrtare, njëjtë si ish-zëvendësministri i transportit dhe lidhjeve Remzi Mehmedi dhe ish-zëvendësministrja e punëve të jashtme Arta Toçi.
Tre ish-qeveritarët thonë se pagat vazhdojnë t’i marrin meqë prej një muaji nuk është miratuar dorëheqja, dhe sipas tyre kjo po i mbanë peng për të mos iu kthyer profesioneve të tyre.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela tha se dikush po bën lojëra me vonesat e shkarkimeve dhe emërimeve të reja.
“E them shumë haptazi, ne nuk jemi pjesë e qeverisë dhe kryeministri le të nisë t’i shkarkojë funksionarët tanë, se edhe ashtu ata nuk shkojnë në ato vende pune. Mjaft më me këto lojëra politike, ne nuk kemi nevojë për lojëra. Transparente ka qenë momenti kur jemi bërë pjesë e qeverisë, transparent kemi qenë me opinionin kur kemi dal prej qeverie dhe lojërat po ua lejmë tjerëve”, tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Nga Qeveria e Maqedonisë thonë se dorëheqjet nuk janë dërguar në Kuvend me që ende nuk janë emëruar zëvendësuesit e ish-funksionarëve të partnerit të mëparshëm qeveritarë.
“Po, ata të cilët janë emëruar në qeveri, si zëvendësministra i kanë dorëzuar dorëheqjet. Megjithatë, do të më lejoni gjatë ditës t’i verifikoj këto informacione. Për shkak se dorëheqjet janë deponuar, por tani procedura e mëtejshme duhet të miratohet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë së Maqedonisë.
Për drejtorët e emëruar në institucionet shëndetësore nga ish-ministri Arben Taravari, pasardhësi i tij Filipçe thotë se vazhdojnë të vijnë rregullisht në punë, me që ata kanë punuar si mjekë edhe më parë në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza”. Ai tha se emrat e rinj do të konfirmohen së shpejti.
“Tani më javën e ardhshme do të ketë emërime të drejtorëve të rinj në pozicionet e drejtorëve të mëparshëm, të cilët u tërhoqën me kërkesë të tyre, do të thotë dhanë dorëheqje. Kurse, në këtë periudhë kemi bisedime me partnerin e koalicionit qeveritar për të plotësuar vendet boshe”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se prej 20 drejtorive sa u takonin në partneritetin qeveritar, 10 drejtorë të ndërmarrjeve publike kanë dhënë dorëheqje, kurse 10 të tjerë nuk kanë qenë as të emëruar. Sipas zyrës për informim të kësaj partie, përveç Taravarit, i cili u zgjodh kryetar i Gostivarit, pezull mbetet statusi i tre ish-zëvendësministrave dhe të ish-sekretarit shtetëror i drejtësisë, Zulfi Adili.