Doganat e Maqedonisë së Veriut në vitin 2024 kanë shënuar rritje të të ardhurave në gjashtëmujorin e dytë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, transmeton Portalb.mk.
“Vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2024, janë paguar një miliard euro, ose rreth 65 milionë euro më shumë nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Në muajin janar janë mbledhur 148.5 milionë euro të ardhura, ose 5.2 milionë euro më shumë se janari i vitit të kaluar”, deklaroi drejtori i Doganave në Maqedoninë e Veriut, Boban Nikollovski.
Dogana raportoi që në muajin shkurt ka pasur 312.15 milionë euro të ardhura, ose 9 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
“Në raport me konfiskimet, në vitin 2024 janë evidentuar gjithsej 410 raste, ashtu që 305 raste të konfiskimit janë regjistruar në gjysmën e dytë të vitit”, njoftoi Nikollovski, duke treguar se në vitin e kaluar 89 kallëzime penale janë dërguar në Prokurorinë Themelore Publike, 69 prej të cilave në pjesën e dytë të vitit.
Drejtoria e Doganave ka falënderuar Qeverinë e SHBA-vë për mbështetjen e vazhdueshme në përforcimin e kapaciteteve të kësaj drejtorie.