Çmimi shtetëror për kontribut në fushën e publicistikës dhe gazetarisë ishte i dyti me radhë që nuk u nda gjatë vitit 2017, ashtu si edhe çmimi “23 Tetori”, Dita e Luftës revolucionare maqedonase, shkruan gazeta KOHA. Por pavarësisht se si njëri çmim, ashtu edhe tjetri nuk arritën të ndaheshin për shkak të skadimit të mandateve të anëtarëve të këshillave përkatës për ndarjen e çmimeve dhe bllokimit të punës në Komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime, gjatë 2018 lista e çmimeve shtetërore nuk do të jetë e njëjtë. Ndryshimi i kësaj liste, pesë prej të cilave jepen nga Ministria e Kulturës dhe dy të tjerat nga Ministria e Arsimit dhe Agjencia e Rinisë dhe Sportit është i pritshëm. Mënjanimi nga kjo listë, si për shembull për çmimin 23 Tetori, që konsiderohet si partiak, por edhe vendosja e çmimeve të tjera, apo edhe rikategorizimi i tyre është i pashmangshëm. Ajo që nuk dihet është nëse kjo listë do të ndryshojë profilin monoetnik që e ruan prej dekadash.
NJË VIT PA DY ÇMIME
Çmimi shtetëror “Mito Jaxhi Vasiliev” do të duhej të ndahej më 21 dhjetor, në Parlament, por shkak se konkursi për këtë çmim nuk arriti të shpallej nga 1 deri më 31 tetor, procedura dështoi. Në sqarimin që jepet nga ana e Ministrisë së Kulturës thuhet se Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime nuk arriti të realizonte procedurat dhe të emëronte anëtarët e këshillit, mandati i të cilëve skadoi në muajin qershor. Ministria e Kulturës kërkon që kjo procedurë të përfundojë në mënyrë që dhënia e këtij çmimi të mos vihet në pikëpyetje për vitin e ardhshëm. I njëjti arsyetim jepet edhe për çmimin 23 Tetori, çmim ky që ndahet për arritje në sferën e shkencës, kulturës, arsimit, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe promovimit të prioriteteve shtetërore, vlerave dhe trashëgimisë kulturore-historike të Maqedonisë. Në Ministrinë e Kulturës pohojnë se mosndarja e çmimeve u bë për shkak të moskryerjes se procedurës në Kuvend, në komisionin përkatës. Por nuk e përjashtojnë mundësinë për ndryshimin e përmbajtjes së çmimeve që jepen. Në grupet e punës të ngritura nga Ministria e Kulturës është debatuar për korrektimet që duhet të pësojnë ato dhe për vetë Ligjin për çmimet shtetërore. “Vitin e ardhshëm do të hapet debat publik për legjislaturën në kulturë, sigurisht se pjesë e këtij debati mund të jete edhe lista e çmimeve shtetërore, por nuk do te kisha prejudikuar lidhur me rezultatet e debatit ose vlerësimet e ekspertëve dhe komunitetit kulturor në vend për këtë çështje”, thotë për KOHA, këshilltari i posaçëm i ministrit, Petrit Saraçini.
Ndryshimet janë kërkuar vazhdimisht nga pjesa shqiptare e komunitetit artistik në Ligjin për çmimet shtetërore. Fituesit e këtyre çmimeve kanë kërkuar që të ndryshojë jo vetëm përbërja, por edhe rëndësia e secilit çmimit dhe rrjedhimisht edhe benefitet që përfiton marrësi i tyre. Por ndryshimet ligjore të pesë viteve më parë kanë qenë të fundit.
Sipas shpërblimit që shoqëron çmimin dhe të ardhurat në formë pensioni që fituesi i merr gjatë të gjithë jetës çmimi më i rëndësishëm mbetet “11 Tetori” – Dita e kryengritjes së popullit maqedonas (është ndarë në vitin 1959 për herë të parë). Jep mirënjohjen më të lartë për veprën jetësore në fushën e shkencës, artit, ekonomisë si dhe në veprimtari të tjera me interes publik. Sipas ligjit, brenda një viti mund të ndahen deri në pesë çmime dhe shoqërohet me një shpërblim që kap një vlerë prej 15 pagash mujore mesatare.
Çmimi i dytë, i miratuar në vitin 1969 është “Shën Klimenti i Ohrit” dhe “Goce Dellçev” (Ministria e Arsimit). Sa i takon rëndësisë, por edhe motivacionit “Shën Klimenti i Ohrit” është po aq potent sa edhe “11 Tetori”. Të njëjtën “peshë” ka edhe 23 Tetori, një prej çmimeve më të reja. Është ndarë për herë të parë në vitin 2007 dhe akordohet për arritje në sferën e shkencës, kulturës, arsimit, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe promovimit të prioriteteve shtetërore, vlerave dhe trashëgimisë kulturore-historike të Maqedonisë.
MË MIRË SHËN KLIMENTIN SE SHËN TEREZËN
Një prej figurave më emblematike të Maqedonisë është humanistja Nënë Terezë. Por emri i saj paradoksalisht qëndron në listën e çmimeve shtetërore e kategorizuar shumë poshtë. Për përfituesit e çmimeve më të pakënaqurit kanë qenë ato të cilëve i është akorduar, jo për motivacionin, por për benefitet. Çmimi është pjesë e listës prej vitit 2006 dhe jepet në ditën e lindjes së shenjtores, më 26 gusht. Me motivacionin për arritje në fushën e humanitetit, solidaritetit njerëzor dhe për nxitjen dhe avancimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes bashkësive, kulturave dhe religjioneve. Vlera është pesë paga mujore mesatare, duke e klasifikuar në të njëjtën kategori së bashku me “Goce Dellçev” (Ministria e Arsimit) dhe “Mito Haxhi Vasiliev Jasmin”. Dhe për këto çmime shtetërore edhe është gara është e vogël, po ashtu si edhe interesimi për të marrë pjesë në konkurs dhe për të kandiduar individë nga sfera të ndryshme. Kështu kanë deklaruar nga sektori për dhënien e çmimeve gjatë viteve të kaluara. Problemet me dhënien e çmimeve nuk qëndrojnë vetëm tek përbërja e listës, emrat dhe datat që përmban ajo. Një tjetër mangësi janë edhe përzgjedhjet që bëhen nga Parlamenti lidhur me emërimet e anëtarëve të këshillave për ndarjen e çmimeve, që zakonisht kanë një mandat dy vjeçar. Në shumë raste përbërjeve të tyre u ka munguar si përfaqësimi i duhur etnik, por edhe profesional për të bërë vlerësimet.
“11 TETORI” (MINISTRIA E KULTURËS). Dita e kryengritjes së popullit maqedonas. Jep mirënjohjen më të lartë për veprën jetësore në fushën e shkencës, artit, ekonomisë, si dhe në veprimtari të tjera me interes publik. Brenda një viti mund të ndahen deri në pesë çmime. Vlera: 15 paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 1959.
“SHËN KLIMENTI I OHRIT” (MINISTRIA E KULTURËS). Dita e Shën Klimentit, 8 dhjetor. Jep mirënjohjen më të lartë për arritje shumëvjeçare në fushën e edukimit, arsimit, kulturës, artit, shëndetit, sportit, mbrojtjes dhe avancimit të mjedisit human dhe në veprimtarinë sociale. Brenda një viti jepen deri në pesë çmime. Vlera: 10 paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 1969.
23 TETORI (MINISTRIA E KULTURËS). Dita e Luftës revolucionare maqedonase (i shtuar në vitin 2007). Jep mirënjohje më të lartë për arritje në sferën e shkencës, kulturës, arsimit, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe promovimit të prioriteteve shtetërore, vlerave dhe trashëgimisë kulturore-historike të Maqedonisë. Brenda një viti jepen më së shumti pesë çmime. Vlera: 10 paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 2007.
“GOCE DELLÇEV” (MINISTRIA E ARSIMIT). Dita e vdekjes së Goce Dellçev, 4 maj. Jep mirënjohje për arritje në sferën e shkencës. Brenda një viti jepen më së shumti deri në tre çmime. Vlera: pesë paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 1969.
“MITO HAXHI VASILIEV JASMIN” (MINISTRIA E KULTURËS). Dita e lindjes së Mito Haxhi Vasilievit, 21 dhjetor. Jep mirënjohje për arritje në sferën e publicistikës dhe gazetarisë. Brenda një viti mund të akordohen deri në dy çmime. Vlera: pesë paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 1969.
“NËNË TEREZA”(MINISTRIA E KULTURËS). Dita e lindjes së Nënë Terezës, 26 gusht. Jep mirënjohje për arritje në fushën e humanitetit, solidaritetit njerëzor dhe për nxitjen dhe avancimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes popujve, si edhe mes përfaqësuesve të bashkësive, kulturave dhe religjioneve të ndryshme. Brenda një viti jepet deri në dy herë. Vlera: pesë paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 2006.
8 SHTATORI (AGJENCIA E TË RINJVE DHE SPORTIT) (2012). Dita e pavarësisë së Maqedonisë. Jep mirënjohje për arritje në sferën e sportit për sportistë, trajnerë dhe punonjës në sport. Brenda një viti mund të akordohen deri në pesë çmime Vlera: dhjetë paga mujore mesatare. Pension i përjetshëm në vlerën e një page mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 2012.