Amitai Etzioni
Reagimet e vendeve të ndryshme ndaj pandemisë hodhën dritë të re në debatin mbi mënyrat më të mira për qeverisjen e kombeve – dhe cila formë e qeverisjes e ka dëshmuar veten superiore në përballimin e KOVID-19. Epo përpara pandemisë, libri i Stefan Halperit, Konsensusi i Pekinit: Si modeli autoritar i Kinës do të dominojë shekullin 21, ngriti spektaklin e botës duke u bërë i bindur se mënyra se si qeveriset Kina është më e preferuar se sa se si qeverisen ShBA-të. Halperi argumentoi se gatishmëria kineze për të përfshirë vendet në zhvillim pa moralizim ka bërë që shumë kombe të kërkojnë të miratojnë “modelin e saj autoritar të tregut”.
Në të kundërt, Konsensusi i Uashingtonit “vendosi që bota në zhvillim do të përparonte duke adoptuar modelin e demokracisë liberale dhe tregjet e lira që kishin punuar aq mirë për klubin e pasur në botë”. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1990, shumë besuan se shumica – nëse jo të gjitha – kombet do të kërkonin të adoptonin një regjim të ngjashëm me të ShBA-së. Megjithatë,gjatë dekadës së fundit, ka pasur një deficit demokratik në rritje, pasi kombet të cilat dikur konsideroheshin si demokratike (si India, Polonia dhe Hungaria) dhe kombet të cilat kishin prirje në atë drejtim (si Turqia, Indonezia dhe Tajlanda) të gjitha janë bërë më pak demokratike dhe kanë adoptuar elemente të ndryshme autoritare. Duket se Konsensusi i Uashingtonit po humbet terren, ashtu si Konsensusi i Pekinit është në ngjitje.
Pandemia ka sjellë në pah dallimet midis modeleve qeverisëse kineze dhe amerikane. Kina fillimisht iu përgjigj shfaqjes së virusit në një mënyrë autoritare, me zyrtarët lokalë duke shtypur lajmet dhe duke lëshuar deklarata publike mashtruese në mënyrë që të shmangnin raportimin e lajmeve të këqija pranë autoriteteve qendrore. Sidoqoftë, pasi qeveria qendrore u përfshi, ajo veproi vendosmërisht dhe në mënyrë efektive. Ajo e përmbajti virusin duke vendosur 46 milion njerëz në izolim, duke futur në karantinë 16 qytete. Ajo prezantoi testime dhe gjurmimet e kontaktit. Reagimi i shpejtë dhe i pandërprerë i Kinës vlerësohet gjerësisht se ka shmangur një rezultat shumë më shkatërrimtar brenda kufijve të saj.
Presidenti i ShBA-së Donald J. Tramp argumenton se ShBA-ja e pësoi sepse Kina nuk e informoi ShBA-në për shpërthimin e virusit. Sidoqoftë, Shtëpia e Bardhë e kuptoi për virusin në janar. Trampi u paralajmërua për pandeminë nga këshilltari i tij kryesor, Peter Navarro, dhe nga agjencitë e inteligjencës amerikane, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes; megjithatë, Presidenti vazhdoi të nënvlerësojë rrezikun dhe nuk pranoi të veprojë për dy muaj. Kur më në fund morri masa, ai e bëri atë në mënyrë kaotike, duke mos marrë parasysh këshilltarët e tij mjekësorë, duke bërë deklarata publike të cilat klasifikoheshin nga çorientuese në të rrezikshme. Një studim i Universitetit Columbia tregoi se të paktën 36,000 jetë mund të ishin shpëtuar nëse ShBA-të do të kishin treguar për distancimin shoqëror qoftë edhe një javë më parë. Që nga 28 maji, ShBA-të kishin raportuar një normë të lartë prej 5,348 rastevenë 1 milion njerëz dhe 312 vdekje në 1 milion njerëz. Trampi kishte një vlerësim të miratimit prej 42%.
Reagimet e qeverive kombëtare kineze dhe amerikane ndaj KOVID-19 kanë ndikuar në perceptimet globale të të dy vendeve. Shefi i punëve të jashtme të Bashkimit Evropian, Xhozep Borrelli deklaroi, “Analistët kanë folur prej kohësh për përfundimin e një sistemi të udhëhequr nga Amerika dhe ardhjen e një shekulli aziatik. Kjo tani po ndodh para syve tanë.” Intelektualët publik kanë vërejtur. Stefen M. Ualt, profesori i Robert dhe Renée Belferit i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, shkroi, “Larg nga arritja e “Amerikës së Madhe përsëri”, ky dështim epik i politikës do të dëmtojë më tej reputacionin e Shteteve të Bashkuara si një vend i cili di të bëjë gjërat në mënyrë efektive….Përderisa KOVID-19 ka mbaruar, amerikanët ka të ngjarë të zbulojnë në hidhërim se zërat e tjerë (Pekini, njerëz?) po marrin vëmendje më të respektueshme.”Ngjashëm, Dominik Moïsi, një këshilltar i vjetër në Institutin Montaigne me qendër në Paris dhe shkencëtar politik, ka vërejtur se “Amerika nuk ka vepruar keq, ajo ka vepruar jashtëzakonisht keq…. Diku në vitin 2021 do të dalim nga kjo krizë dhe do të jemi në vitin 2030. Do të ketë më shumë Azi në botë dhe më pak Perëndim. “Një sondazh i fundit në Gjermani zbuloi se 73% e gjermanëve kanë ulur mendimin e tyre për ShBA-në në vazhdën e pandemisë, ndërsa afërsisht gjysma e të anketuarve (36%) kanë ulur mendimin e tyre për Kinën.
Debatit mbi qëndrimin relativ të Konsensusit të Uashingtonit përkundrejt Konsensusit të Pekinit i mungon ekzistenca e një modeli të tretë. Ky model i tretë është ilustruar më së miri nga Zelanda e Re. Pas zgjedhjeve të shumta kombëtare, në të cilat partia e cila fitoi kontrollin e Parlamentit në të vërtetë mori më pak vota në të gjithë vendin se sa rivali i saj kryesor, Zelanda e Re kishte dy referendume kombëtare për sistemin e saj zgjedhor, në vitin 1992 dhe 1993, duke çuar në miratimin e një skeme votimi të stilit gjerman. Sistemi siguron që vendet e Parlamentit të shpërndahen në një mënyrë shumë më proporcionale sesa më parë, duke lejuar partitë më të vogla të gjejnë një bazë, e cila ka filluar në një epokë të qeverisjes në bazë koalicioni. Kjo ka rezultuar në një nivel shumë më të lartë bashkëpunimi dhe ndërtimi të konsensusit.
Tashmë një komunikuese e aftë, kombinimi i çiltërsisë, shijes personale dhe empatisë së kryeministres së Zelandës së Re, Xhasinda Ardern, si dhe puna e sajë e ka bërë atë një nga udhëheqëset më të respektuar në Perëndim. Në trajtimin e krizës KOVID-19, Ardern ka kombinuar një izolim të rreptë me komunikim efektiv, tërë kohën duke u mbështetur tek autoritetet mjekësore. Ndërsa zyrtarët siguruan një informacion të qëndrueshëm, e të besueshëm, u ngrit besimi i publikut në qeveri dhe po kështu bashkëpunimi me udhëzimet e saj. Vendi tani po del nga izolimi me vetëm 21 vdekje (në një shtet me 5 milion njerëz). Që nga 28 maji, Zelanda e Re kishte vetëm 307.8 raste në 1 milion njerëz dhe vetëm 4,5 vdekje në 1 milion njerëz. Vlerësimi i miratimit të Ardernes ishte 59.5%,vlerësimi më i lartë që gëzonte çdo udhëheqës “Kiwi” që nga fillimi i votimit.
Disa vende të tjera demokratike janë duke treguar meritën për të adoptuar një mënyrë të ngjashme të përballimit të pandemisë. Australia u bashkua me Zelandën e Re duke prezantuar një izolim të hershëm dhe duke përdorur mesazhe të qëndrueshme për të siguruar mbështetjen e publikut. Në vend që të përballeshin me 153,000 raste të parashikuara nga mesi i prillit, vendi me 25 milion njerëz kishte vetëm 6.670 raste deri në javën e fundit të prillit, me vetëm 78 vdekje. (Që nga 28 maji, Australia kishte raportuar 286.1 raste në 1 milion njerëz dhe 4.1 vdekje në 1 milion njerëz.) Kryeministri Skot Morrison ka një vlerësim prej 64% të miratimit (që nga 26 maji).
Në Korenë e Jugut, kompanitë mjekësore bashkëpunuan me qeverinë pasi dolën rastet e para brenda vendit të tyre. Kompanitë shpejt zhvilluan teste, të cilat qeveria i miratoi me menjëherë. Kombinimi i niveleve të larta të testimit dhe karantinimit i të sëmurëve i dha mundësinë vendit të shmangte hyrjen në izolim. Që nga 28 maji, Koreja e Jugut kishte raportuar 219 raste në 1 milion njerëz dhe 5.2 vdekje në 1 milion njerëz. Në një sondazh të bërë më 8 maj, vlerësimi i miratimit të Presidentit Moon Jae-in-it ishte 71%, niveli më i lartë i mbështetjes ndonjëherë për një president të Koresë së Jugut në këtë fazë të ciklit zgjedhor.
Para shpërthimit të virusit, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u përball me shumë kritika dhe nuk kishte qenë në gjendje të formonte një qeveri që nga dhjetori i vitit 2018, pavarësisht mbajtjes së tri zgjedhjeve kombëtare. Sidoqoftë, atij i është dhënë meritë për vendosjen e shpejt të protokolleve të rrepta kur pandemia goditi, duke e mbajtur shkallën e vdekjes të ulët. Që nga 28 maji, Izraeli kishte raportuar 1,892 raste në 1 milion njerëz dhe 31.6 vdekje në 1 milion njerëz. 67% e izraelitëve të anketuar kanë shprehur miratimin e përgjigjes së Netanyahut ndaj pandemisë.
Gjermania gjithashtu përgatiti një sistem të suksesshëm të testimit dhe karantinimit, megjithëse më pak efektiv sesa kombet e cituara deri më tani. Historia e abuzimit të qeverisë në Gjermani dhe konsiderimi i lartë i privatësisë e ka ndaluar vendin të përdorë gjurmët e kontaktit. Që nga 28 maji, Gjermania raportoi 2,196.5 raste në 1 milion njerëz dhe 103.1 vdekje në 1 milion njerëz. Kancelarja Angela Merkel ka një vlerësim prej 56% të miratimit (që nga 26 maj).
Mënyrat se si këto vende u përballën me virusin nuk sugjerojnë një ardhje të dytë të konsensusit në Uashington, duke pasur parasysh se disa demokraci vepruan shumë dobët (ShBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar) dhe disa tepër dobët (India dhe Suedia). Sidoqoftë, suksesi i tyre tregon se nuk duhet të merren masa autoritare për të luftuar në mënyrë efektive KOVID-19 ose për të qeverisur mirë. Meqenëse Zelanda e Re ka vepruar më së miri, dhe ka udhëhequr paradën, tani e tutje ne mund t’i referohemi konsensusit të ri si Konsensusi i Zelandës së Re.
Amitai Etzioni është një profesor universitar dhe profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin The George Washington.
Burimi: Thediplomat, 23.06.2020
Përktheu dhe përshtati: Tasim Ameti
Antiteza.org/28.06.2020