Arbër Çeliku
Meqë z. Edi Rama, para disa ditësh, deklaroi se partia e tij, që la të aludohet se ai dora vetë, qenka më meritori për “zyrtarizimin” e gjuhës shqipe në Maqedoni, ma ofron mua mundësinë e kërkesës legjitime që unë t’i përgjërohem atij ta bëjë të mundur, një orë e më parë, edhe përdorimin e abetares mbarëkombëtare si dhe unifikimin e të gjitha librave shkollorë shqip këtu në Maqedoni, në veçanti të librave të historisë dhe të muzikës, ku sidomos ninullat ende janë të bastarduara me një frymë të huaj dhe joshqiptare.
E them këtë për arsyen e thjeshtë, sepse në vitin 2013 apo 2014, nuk më kujtohet tani me saktësi, si anëtar i Komisionit të teksteve shkollore në kuadër të Ministrisë së arsimit dhe shkencës së Maqedonisë, vetëm për dy mbledhje, ngaqë u shkarkova pa asnjë paralajmërim dhe arsyetim vetëm e vetëm pse kërkova dhe nuk lëshoja assesi pe që të miratohet abetarja mbarëkombëtare dhe të bëhet unifikimi i teksteve shkollorë shqip në Republikën e Maqedonisë, gjë e cila është edhe një e drejtë elementare dhe legjitime e jona këtu.
Nëse ai do ta arrijë këtë, siç paska arritur ta “zyrtarizojë” gjuhën shqipe, atëherë unë, siç themi ne nga Kërçova, do t’ia njoh burrninë z. Edi Rama dhe do t’i përkulem sikur të ishte jo kryeministër, por perandor.