Botimet ALSAR i paraqiten publikut me një tjetër titull të ri në pak javë, “Betejat e humbura të Tiranës”, shkruar nga Bamir Topi.
Autori, ish-president i Republikës, është i njohur për lidhjen e fortë emocionale me kryeqytetin, vendlindjen e tij, por dhe për angazhimin politik në dekadat e tranzicionit shqiptar.
Ndjeshmëri, qasje, këndvështrime dhe analiza janë elemente të strukturës së këtij libri me një nëntitull intrigues, “Doktrina politike e racizmit social mbi tiranasit në kryeqytetin e Shqipërisë”.
Prof. dr. Bamir Topi sugjeron kështu përmes titullit dhe nëntitullit trajtesa të guximshme dhe delikate në faqet e këtij botimi.
Fondacioni ALSAR do të organizojë në ditët e ardhshme, saktësisht më 17 mars, dhe një ceremoni përuruese për librin, me një ftesë për pjesëmarrje për çdokënd.
Botimet e reja përbëjnë bazën e aktivitetit kulturor të ALSAR-it, duke u krijuar hapësirë botuese shumë autorëve.