Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka filluar procedurë kundër një personi për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale, duke shkaktuar – Lëndim të rëndë trupor sipas nenit 131, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Ai e ka kryer veprën penale duke ushtruar dhunë ndaj një gruaje me të cilën kishte pasur keqkuptime personale të mëparshme. Pasditen e 23 gushtit, e dëmtuara ka shkuar ta takojë të dyshuarin para një objekti hotelerik në lagjen Avtokomandë. Ai fillimisht ka filluar ta fyejë në mënyrë të vrazhdë, pastaj ka marrë një arkë plastike plot me shishe qelqi, e ka tundur dhe e ka goditur në kokë. Të dëmtuarës ka filluar të rrjedhë shumë gjak dhe, në gjendje të hutuar, ka arritur të telefonojë policinë, pas së cilës është dërguar me ambulancë në spital, ku i janë diagnostikuar lëndime të rënda trupore.
Duke marrë parasysh mënyrën se si është kryer vepra penale, dhe me qëllim mbrojtjen e viktimës nga mundësia e një kërcënimi të ri për sigurinë, shëndetin dhe jetën e saj, prokurori publik kërkoi nga gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore Penale në Shkup që të dyshuarit t’i shqiptohen disa masa paraprake: ndalim për afrim ose vendosje, përkatësisht mbajtje kontakti ose lidhjesh me të dëmtuarën, sekuestrim të përkohshëm të dokumentit të udhëtimit për kalimin e kufirit shtetëror dhe detyrim për t’u paraqitur periodikisht te një zyrtar i caktuar.