Një delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes i kryesuar nga sekretari shtetëror, Dragan Nikoliq, sot në Batumi, Republika e Gjeorgjisë mori pjesë në takimin e procesit SED – South East Defence Ministerial në nivel të ministrave të Mbrojtjes së vendeve-anëtare.
Siç kumtoi Ministria e Mbrojtjes, përveç delegacionit prej Republikës së Maqedonisë, në ceremoni kanë marrë pjesë delegacione të të gjitha vendeve anëtare të SEDM, të prezentuar prej ministrave të Mbrojtjes, sekretarëve shtetërorë, drejtorëve për Politikë mbrojtëse, ambasadorë dhe përfaqësues të komandës së Brigadës së Evropës Juglindore (SEEBRIG).
Në takim, krahas miratimit të dokumenteve të rëndësishme për punën dhe zhvillimin e mëtejmë të procesit SEDM, ministrat e Mbrojtjes dhe përfaqësuesit e lartë të vendeve anëtare të procesit SEDM e kanë nënshkruar dokumentin “Lokacioni i komandës së SEEBRIG dhe tabela për rotacion i pozitave kritike pas vitit 2015” me të cilin formalisht konfirmohet se Republika e Maqedonisë në periudhë prej vitit 2020 deri në vitin 2026 do të jetë nikoqir i Shtabit të SEEBRIG, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e RM-së do të jetë kryesuese me procesin SEDM në periudhën prej vitit 2027 deri në vitin 2029 dhe prej vitit 2033 deri në vitin 2035.
SEDM paraqet proces të bashkëpunimit midis ministrive të Mbrojtjes së Evropës Juglindore (EJL). Për herë të parë u inicua në mars të vitit 1996, në Tiranë, si takimi i parë i serisë së takimeve të ministrave të Mbrojtjes, zëvendësministrave dhe zëvendësshefave të Shtatmadhorive të vendeve të Evropës Juglindore.
Vende anëtare të SEDM janë: Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjeorgjia, Greqia, Italia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Maqedonia, Turqia, Ukraina, SHBA-ja ndërsa Moldavia e ka statusin e vendit vëzhgues.
Në margjina të takimit, sekretari shtetëror Nikoliq ka realizuar takim me përfaqësues të Ministrisë kroate të Mbrojtjes, në të cilin është folur për bashkëpunimin në mbrojtje midis dy vendeve, ndërsa është shprehur edhe mbështetja për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.