U desh të kalojë një dekadë nga vërshimet në Hasanbeg, që autoritetet të dëgjojnë zërin e qytetarëve të shumtë të cilët prej vitesh ankohen për rrugën e dëmtuar në këtë qarkore. Ekipet e Ndërmarrjes “Rrugët Shtetërore” punojnë në sanimin e dëmeve në këtë qarkore. Ndërkohë një pjesë tjetër e qarkores vazhdon të jetë me gropa.
“Si kjo gropë e madhe e cila është në mes të rrugës, apo më saktësisht në qarkoren e cila lidhë Kumanovën me Shkupin por edhe vendbanime tjera, ka shumë të tilla të cilat janë bërë sfidë në vete për të gjithë që e kalojnë këtë rrugë”, raporton Avni Tahiri, gazetar.
Pjesën më të vështirë, hyrja për në qarkoren në pjesën e Stajkovcit, për të cilën tash më disa herë janë raportuar ankesa të shumë qytetarëve, punëtorët e Rrugëve të Maqedonisë i takuam duke asfaltuar këtë pjesë të qarkores.
Sipas Ndërmarrja Publike Rrugët e Maqedonisë, hyrja për në qarkoren në pjesën e Stajkovcit është në fazën përfundimtare dhe kjo pjesë do të asfaltohet tërësisht apo rreth 950 metra. Për momentin në pjesën që sanohet rruga, qarkullimi bëhet vetëm në një korsi ndërsa nga Ndërmarrja Publike Rrugët e Maqedonisë, bëjnë thirrje që vozitësit të respektojnë shenjat e komunikacionit në veçanti në pjesën ku zhvillohen punimet në këtë pjesë të rrugës.
Përderisa kjo pjesë e rrugës dhe gropat që shqetësonin vozitësit janë sanuar, një pjesë tjetër në qarkore vazhdon të jetë me gropa deri në sanimin e tyre.
Qarkorja e Shkupit, u dëmtua në kohën e vërshimeve në vitin 2016 dhe që atëherë kjo pjesë e rrugës ishte sfidë në vete për vozitësit shkaku i dëmtimit të së njëjtës. /Alsat.mk