Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka deklaruar se vendi i tij nuk ka ndërhyrë dhe as nuk ndërhynë në zhvillimet e brendshme politike të ndonjë një vendi tjetër, përfshirë edhe Maqedoninë. Artikulimet e adresuara për ndërhyrje nga ana e Shqipërisë apo të autoriteteve të Shqipërisë në proceset politike të shqiptarëve, ka theskuar ai, nuk kanë asnjë të vërtetë dhe asnjë bazë apo fakt. Në një intervistë për ABC, Nishani është shprehur se Tirana zyrtare është e interesuar dhe vazhdon të kontribuojë për stabilitetin e Maqedonisë dhe për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve fqinjësore me Maqedoninë. Ndërsa, është shprehur se Shqipëria është e ngarkuar me përgjegjësi kushtetuese për të mbështetur edhe për të qenë e interesuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.
“Ne kemi mbështetur dhe është detyrë kushtetuese të mbështetet e faktorit politik shqiptar për të pasur një mekanizëm siç është platforma që partitë shqiptare kanë arritur me vullnetin e tyre politik, angazhimin e tyre strukturor si një mekanizëm që do t’u garantojë shqiptarëve zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi presidenti Nishani.
Duke folur mbi marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, Nishani ka thënë se nxitja e tensioneve mes etniteteve nuk i shërben askujt. Është e gabuar kudo, ka vazhduar ai, që lufta për pushtet politik në jetën e brendshme të transferohet në konflikte të tjera, qofshin ato me nuanca ndëretnike apo me nuanca të tjera, aq më keq edhe ndërfqinjësore.
“Deklaratat e fundit të disa prej autoriteteve politike në Maqedoni, për fatin e keq janë deklarata të cilat nxisin në mënyrë artificiale ndasitë dhe urrejtjen ndëretnike, çka është në radhë të parë shumë e dëmshme për vetë Maqedoninë, është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe është e dëmshme për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë”, tha Nishani.
Nishani ka theksuar po ashtu se vendi i tij mbështet dhe do të nxit sa më shumë të jetë e mundur proceset e integrimit euroatlantik të Maqedonisë. Ai është shprehur i bindur se që qytetarët e Maqedonisë, shqiptarë dhe maqedonas, nuk do të fokusohen dhe nuk do të adresojnë të ardhmen e tyre tek ambiciet dhe egot politike të individëve të caktuar, por do ta adresojnë angazhimin, kontributin dhe orientimin e tyre tek e ardhmja e Maqedonisë.
Teuta Buçi /SHENJA/
Nishani: Nxitja e urrejtjes nuk i shërben askujt by tvshenjaofficial

