Në takimin me Presidentin e Maqedonisë, zotin Gjeorge Ivanov, Presidenti Nishani shprehu qëndrimin e Shqipërisë për marrëdhënie të mira, miqësore e bashkëpunimi me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë fqinjën e drejtpërdrejtë, Maqedoninë, thuhet në njoftimin e presidencës, përcjell SHENJA.
“Duke iu referuar situatës paszgjedhore në Maqedoni, Presidenti Nishani shprehu shqetësimin për situatën e përgjithshme politike dhe marrëdhëniet ndëretnike atje, si dhe theksoi tentativat për ta transferuar krizën nga domeni politik në atë etnik, mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë”, thuhet në njoftimin.
Nishani ka thënë se Shqipëria asnjëherë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të një shteti tjetër “dhe aq më pak të vendeve fqinje”.
“Lidhur me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Presidenti Nishani theksoi se ata janë një faktor shtetformues dhe Shqipëria do t’i mbështëse në kërkesat e tyre legjitime për respektim dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit”, qëndron ën njoftimin. /SHENJA./