16 March
Shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, janë një faktor shtetformues dhe Shqipëria do t’i mbështesë në kërkesat e tyre legjitime për respektim dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.Deklarata u bë nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani në takim me homologun e tij maqedonas, Gjeorge Ivanov, ku shprehu qëndrimin e Shqipërisë për marrëdhënie të mira, miqësore e bashkëpunimi me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë fqinjën e drejtpërdrejtë, Maqedoninë.
Në takimin e zhvilluar në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e 5-të Global të Baku-së, Nishani shprehu shqetësimin për situatën e përgjithshme politike dhe marrëdhëniet ndëretnike atje, si dhe theksoi tentativat për ta transferuar krizën nga domeni politik në atë etnik, mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë.
Kreu i Shtetit shqiptar theksoi gjithashtu se, Shqipëria asnjëherë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të një shteti tjetër, dhe aq më pak të vendeve fqinje.