35 persona fizikë dhe tre persona juridikë për herë të parë u ulën në bankën e të akuzuarve në sallën digjitale të gjyqit në Idrizovë, ku nisi gjykimi për zjarrin në të ashtuquajturin klub nate “Pulse” në Koçan, në të cilin në mars humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 u plagosën.
Me sigurim të fortë policor dhe pa probleme të mëdha, salla në Idrizovë u mbush, ndërsa të pranishëm janë edhe prindërit e viktimave si publik.
Gjykatësja Dijana Gruevska Ilievska e hapi gjyqin me një mesazh të qartë – disiplinë mbi gjithçka. Ajo tha se çdo sjellje e pahijshme ose pengesë ndaj procesit gjyqësor do të ndëshkohet ashpër – fillimisht me vërejtje, pastaj me gjobë dhe përjashtim nga salla e gjyqit.
Gjykatësja theksoi se nuk mund të garantojë sa do të zgjasë gjykimi, por nëse të gjithë paraqiten me kohë dhe seancat nuk shtyhen pa nevojë, procesi do të zhvillohet me ritëm më të shpejtë. Gruevska Ilievska paralajmëroi gjithashtu se të gjitha justifikimet mjekësore do të kontrollohen në mënyrë shumë rigoroze.
Në sallë është i pranishëm edhe ekipi i prokurorisë që drejton rastin, por në vend të 15 prokurorëve të paralajmëruar nga Prokurori i Përgjithshëm Kocevski, sot janë të pranishëm vetëm dhjetë. Pas fjalës hyrëse, gjykimi vazhdoi me evidentimin e të gjithë të pranishmëve nga ana e gjykatëses.


