Kjo javë, në Qendrën e Shërbimeve Arsimore u dedikohet mjekëve të rinj që duan të fitojnë një specializim. 328 të diplomuar në mjekësi e stomatologji do t’i nënshtrohen testimit, rezultati i të cilit mund t’i çojë ose jo drejt profilit të synuar.
Gjithë gara bëhet jo vetëm për të fituar pragun minimal prej 380 pikësh që iu jep të drejtën për të kryer studimet afatgjata të ciklit të tretë në mjekësi, por më tepër, për të zgjedhur profilin e dëshiruar. QSHA ka bërë publik kalendarin me datat e bashkë me të edhe rregullat e provimit që parashikohet të zgjasë 60 minuta (tabela përbri shkrimit).
SI ZHVILLOHET GARA
Në tri ditë radhazi, nga e mërkura në të premte, kandidatët që plotësuan kushtet do t’iu nënshtrohen provimit, të ngjashëm me atë të shtetit, nëpër të cilin të njëjtët kandidatë kanë kaluar edhe më herët. Por, puna nuk mbaron me kaq. Pjesa vendimtare i takon javës që pason, që sipas rregullores, parashikohet të bëhet ndarja e profileve për ata që kalojnë pragun e pikëve minimale. Kjo, bazuar në pikët akumuluese të testimit dhe mesatares së ponderuar gjatë studimeve për mjekësi. Përzgjedhja bëhet brenda dy ditësh nga shpallja e rezultateve përfundimtare, testim plus notë mesatare. Çdo vit, zgjedhja e profilit bëhet në mënyrë transparente nga vetë kandidatët, sipas rendit zbritës të pikëve në listën finale, të ndërtuar në bazë të listës së pikëve të fituara nga çdo kandidat si dhe në përputhje me kuotat e miratuara që këtë vit janë 319. Në këtë të fundit përfshihen kuotat e mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë, ajo e Drejtësisë, për transferim të studimeve jashtë vendit si dhe kuota të lira ose të pambuluara.
OFERTË/KËRKESA
Shumëkush e ka kuptuar tanimë që vendi ynë ka nevojë të thekshme për bluza të bardha, veçanërisht mjekë specialistë. Pandemia shtoi më tepër domosdoshmërinë, sidomos në profile të caktuara si infeksionistë, mjekë familje apo epidemiologë. Bazuar në këto kërkesa, Ministria e Shëndetësisë harton çdo vit kalendarin me kuotat që ofrohen, të cilat edhe këtë vit janë “kokë me kokë” me ata që ofrohen për të kryer. 328 mjekë në garë për 319 kuota.
Duke pasur parasysh që një numër i caktuar nuk marrin pikët minimale, oferta për specializime, me gjasë, siç ka ndodhur edhe vitet e kaluara, pritet të jetë më e madhe se numri i studentëve që kërkojnë të specializohen. Profilet që kërkohen më së tepërmi janë mjekë infeksionistë dhe mjekë familje, dy hallkat kryesore për trajtimin e Covid-19 dhe që përbëjnë 1/5 e totalit të kuotave të specializimeve. Jo më pak të rëndësishëm dhe thuajse po aq të kërkuar janë edhe pediatret, mjekët e urgjencës, anestezistët, onkologët e kardiokirurgët.




