Separatistët pro-rusë po evakuojnë banorët e rajoneve të kontrolluara prej tyre në Ukrainën Lindore, pasi thonë se i druhen një sulmi të gjerë nga ushtria ukrainase.
Këto pamje janë filmuar në një fshat të rajonit të Luhanskut, ku autobusë të mbushur plot nisen për t’i transportuar banorët drejt zonave më të sigurta, por edhe drejt Rusisë fqinje. Autoritetet ruse thonë se 24 orët e fundit, 30 mijë ukrainas nga Luhansku e Donjecku kanë hyrë për t’u strehuar në territorin rus.
“Kam frikë për fëmijët e mi, prandaj ikëm. Prej dy ditësh, ka bombardime me artileri pranë fshatit tonë”.
“Nuk dua të iki, dua të jetoj në shtëpinë time. Por këtu nuk ka më qetësi. Nuk durojmë dot më”.
Me bindjen se Rusia do ta sulmojë Ukrainën, Uashingtoni i ka dërguar një letër komisionerit për të drejtat e njeriut pranë Kombeve të Bashkuara, ku shkruhet se ka informacione të besueshme se Rusia ka një listë të gjatë me qytetarë ukrainas që duhen ekzekutuar ose persekutuar, pas pushtimit të këtij vendi.
Mes tyre janë përfaqësues të komunitetit LGBT, pakicave etnike, gazetarë apo aktivistë kundër korrupsionit, pretendime që mohohen kategorikisht nga Moska.
Bazuar edhe në monitorimet satelitore, Uashingtoni thotë se numri i trupave ruse përreth Ukrainës, para pushtimit mund të shkojë mbi 150 mijë.
Tv Klan