Arben Ziberi, tani ish drejtori i Qendrës për Shëndet Publik ka lëshuar kabinetin e tij, pasi u shkarkua nga ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Sipas Tv telma, pas disa ditëve “përplasje” Ziberi është larguar nga kabineti dhe është zëvendësuar nga drejtor tjetër, ushtrues detyre.
Rasti i tij u komentua shumë në opinion, sepse është kandidat i BDI-së për deputet dhe nip i “kandidatit për kryeministër”, Naser Ziberi. Opinioni shqiptar mbeti i habitur se si një parti si BDI-ja, e cila kërkon kryeministrin, por nuk ka fuqi për të mbrojtur një njeri të vetin në post drejtori nga shkarkimi prej ministrit Venko Filipçe. Filipçe e shkarkoi Arben Ziberin për një status të shkruar në facebook. BDI reagoi me disa kumtesa, që nuk ndryshuan asgjë, përveç se forcuan bindjen se kjo parti nuk posedon ndonjë fuqi në pushtet.
Që kur u largua nga posti i drejtorit, Arben Ziberi si duket është pasivizuar nga fushata parazgjedhore e BDI-së, kurse në opinion janë paraqitur edhe informacione se Naser Ziberi nuk është i kënaqur nga korrektësia e BDi-së ndaj tij dhe se pas zgjedhjeve bën plane për të formuar parti të re.