03 July
Nuk mund të ketë progres drastik në zgjidhjen e kontestit rreth emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë gjatë muajve të ardhshëm, theksoi ndërmjetësuesi i OKB-së, Methju Nimic pas takimit me kryeministrin, Zoran Zaev dhe ministrin e jashtëm, Nikolla Dimitrov. Megjithatë Nimic vlerëson pozitivisht vullnetin e vendit për përfundimin e këtij procesi dhe takimin e ministrit të jashtëm, Nikolla Dimitrov me homologun grek, Nikos Kocias.
Për ta zgjidhur këtë problem na duhet progres në përgjithësi. Kjo do të thotë se të dy palët duhet të mendojnë seriozisht rreth pozicioneve të tyre dhe gjithashtu të dëgjojnë me vëmendje palën tjetër. Jam i ngazëlluar nga kryeministri dhe ministri i jashtëm që janë mendje-hapur dhe të hapur për të menduar rreth kësaj çështjeje. Kam pasur takime me ministrin e jashtëm, Kocias. Ai është njeri shumë serioz. Të shohim si do të zhvillohet procesi në situatën e re të krijuar– deklaroi Methju Nimic, ndërmjetësues i OKB-së për çështjen e emrit .
Nimic tha se është akoma herët të flitet për propozime konkrete për emrin e ardhshëm të Maqedonisë, por është optimist se gjërat do të ecin përpara, për shkak të konceptit të ri të krijuar në rajon dhe për shkak se zgjidhja e kontestit me emrin është në agjendën e OKB-së. Kryeministri, Zaev ashtu si dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti u zotuan edhe një herë se do të angazhohen për zgjidhjen e çështjes.
Unë dhe Qeveria e Maqedonisë jemi të përcaktuar për hapa që i zgjidhin problemet e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. prandaj udhëheqim politika konstruktive. Kështu do të jetë edhe me zgjidhjen e kësaj çështjeje, të cilën do ta udhëheqim në mënyrë ekskluzivisht transparente, e jo në mënyrë të mbyllur ashtu siç është udhëhequr deri tani, vetëm përmes konsensusit shtetëror, me opozitën, me Kuvendin, me Presidentin e shtetit dhe me qytetarët e Republikës së Maqedonisë– deklaroi kryeministër i Maqedonisë, Zoran Zaev
Sigurova zotin Nimic që ne do të kontribuojmë, do të punojmë që sa më parë të gjendet një zgjidhje, kompromis. Sepse është shumë me rëndësi zgjidhja e këtij problemi që gati mbi 20 vite nuk gjen rrugë për zgjidhje përfundimtare. Është një mesazh edhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë vetë vizita e zotit Nimic. Do të thotë që çështja e këtij problemi është në agjendë të rëndësishme për zgjidhje përfundimtare- deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ndërmjetësi Nimic poashtu pati takim edhe me kreun e VMRO-DPMNE-së opozitare, Nikolla Gruesvki. Nimic sonte nuk do të udhëtojë në Athinë ashtu siç kishte paralajmëruar, për shkak të agjendës së shefit të diplomacisë greke, Nikos Kocias i cili merr pjesë në negociatat për çështjen e Qipros.
Anesa Aliti

