Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic, në vizitat e tij sot dhe nesër në Athinë e në mesjavë në Shkup do të informohet rreth hapave që kanë ndërmarrë të dy qeveritë për të harmonizuar qëndrimet për zgjidhjen e kontestit me të gjithë aktorët politikë në të dy vendet.
Nimic fillimisht në Athinë do të takojë kreun grek të ekzekutivit, Aleksis Cipras, dhe shefin e Diplomacisë greke, Nikos Kocijas.
Takimi i Nimicit në Greqi vjen në një kohë kur në vend nuk ka një qëndrim të njëjtë për këtë çështje as mes partnerëve të koalicionit qeveritar.
Nga partia “Grekët e pavarur” tashmë e kanë bërë të qartë se nuk do të votojnë asnjë propozim që përmban në brendi të tij emrin Maqedoni.
Madje kreu i kësaj partie, njëherësh ministër i Brendshëm i Greqisë, Panos Kamenos, kërcënoi edhe me dorëheqje nëse ndodh një gjë e tillë. Gjithsesi, duket se takimet në fundjavë të kryeministrit Cipras kanë qetësuar gjakrat në ekzekutivin grek.
Nga qeveria në Athinë potencuan sot se ka konsensus për miratimin eventual të propozimit në Parlament.