Ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic, ka dhënë porositë e tij të para, pas takimit që ka realizuar me shefin e diplomacisë së vendit, Nikolla Dimitrov.
“Mendoj se gjatë disa muajve të ardhshëm nuk duhet të presim aktivitete dramatike apo ndryshime”, tha Nimic.
Nimic nuk ka sjellur propozim të ri për emrin, por ka diskutuar konceptet e Qeverisë së re në lidhje me marrëdhëniet fqinjësore.
“Nuk mendoj se është koha e duhur për të bërë propozime konkrete dhe përfundimtare, por mendoj se nevojitet një periudhë që të dy palët të bisedojnë me njëra tjetrën”, tha ai.
Ai ka thënë se gjatë takimeve ka vërejtur interesim serioz tek pala maqedonase për zgjidhjes e kontestit shumë vjeçar. Por, që të shënohet progres në këtë çështje, Nimic vlerëson se nevojitet angazhim serioz nga të dyja palët.
“Për ta zgjidhur problemin na nevojitet progres i përgjithshëm, kjo do të thotë se të dyja palët duhet të mendojmë shumë seriozisht në pozitat e tyre dhe po ashtu të dëgjojnë me shumë kujdes palën tjetër”, tha Nimic.
Për të diskutuar për të njejtën temë, Nimic është takuar sot edhe me kreun e Qeverisë, Zoran Zaev. Nga kabineti i këtij të fundit, kanë komunikuar se në takim është konstatuar se ekziston një klimë pozitive për impuls të ri në zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore përmes hapave të rritjes së besimit midis shteteve.
“Unë dhe Qeveria e Maqedonisë jemi të angazhuar për hapat që do të zgjidhin problemet e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Prandaj zbatojmë politika gjithëpërfshirëse dhe kështu do të ndodhë edhe me zgjidhjen e kësaj çështjeje, të cilën do të udhëheqim jashtëzakonisht në mënyrë transparente dhe jo të mbyllur sikur deri më tani, vetëm me konsensus kombëtar me opozitën, me parlamentin, me presidentin dhe qytetarët e Maqedonisë”, njofton Qeveria.
Nimic ka porositur se zgjidhja e kësaj çështje është e rëndësishme për vendin, për rajonin por edhe për OKB. Gjithashtu, ai ka realizuar një takim edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkohë në Shkup do të qëndroj deri më 4 korrik. Edhe pse më herët u paralajmërua se do të vizitojë edhe Athinën, kjo vizitë është anuluar. Teuta Buçi /SHENJA/
Nimic: Duhen muaj për të pasur proges për… by tvshenjaofficial

