100 ditë kaluan dhe sot ishte radha e Ministrisë së Bujqësisë që të publikonte raportin e punës së saj gjatë kësaj periudhe. Siç tha ministri, Lupço Nikollovski, situata në të cilën e gjetën ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, kërkonte masa të menjëhershme. Këto masa për ta cilat foli ministri u ndërmorën, siç shtoi ai, vetëm duke pasur si prioritet të mirën e bujqve të vendit., shkruan Almakos.
“Janë ofruar zgjidhje dhe janë bërë ndryshime në ligje, ku çdo hap i ndërmarrë ishte në interes të bujqve të vendit, sepse zhvillimi i bujqësisë është një nga prioritetet e kësaj Qeverie”- tha Nikollovski, gjatë konferencës së sotme për mediat.
Sipas tij, gjendja ishte si mos më keq në të gjitha drejtimet, në mesin e të cilave përmendi edhe bllokimin e subvencioneve nga qeveria e kaluar.
“Gjatë 100 ditëve të kaluara Ministria për bujqësi, pylltari dhe ujëra ka zhbllokuar pagesën e subvencioneve, “ Për tre muaj ka bërë pagesën e 60 milionë eurove në subvencione, ka shpallur dy konkurse për ndarjen e vendit bujqësor në pronësi të shtetit me kontratë për sipërfaqe deri më 3 hektarë dhe mbi 3 hektarë, e vazhdoi afatin për aplikim për Programin IPARD 2”, tha ministri Nikollovski.
Fjala është fjalë, premtuam dinjitet për bujqit në shoqërinë tonë dhe këtë e arritëm, tha mes të tjerash Nikollovski.
Një parregullsi të cilën e ka hasur ministri i ri në MPBU, u publikua nga mediat një ditë më parë, ku Nikollovski theksonte se një ish zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë në mënyrë të kundërligjshme ka lidhur marrëveshje për dhënie me qira të tokës shtetërore bujqësore. Një nga masat e ndërmarra është edhe ajo që angazhon revizorët e brendshëm që në muajt e ardhshëm të inspektojnë mënyrën se si është ndarë toka shtetërore.
Nikollovski tha se ajo ka qenë periudhë turbulente kur aktivitetet bujqësore janë në majën e dinamikës së tyre dhe se kjo Qeveri ka hasur në pengesa nga opozita dhe se kjo gjë për Qeverinë e re ka qenë një shtesë për të nisur zgjidhjen e çdo problemi me marrjen e masave përkatëse.
Evi Shkopi
Almakos.com