Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, tha se Hekurudha e Maqedonisë-Transport ka nënshkruar marrëveshje me BERZH për të paktën pesë lokomotiva të reja të mallrave, ndërsa po punojmë edhe me Bankën Botërore për furnizimin me trena të rinj.
“Këtyre u shtohet edhe projekti për Trenin Urban, ku linja e parë do të fillojë të funksionojë më 1 shtator, si dhe prokurimi i autobusëve të rinj elektrikë”, deklaroi ai.
Nikolloski theksoi se ky është “një nga projektet më të rëndësishme që po e realizojmë, edhe pse nuk është i madh në përmasa”.
“Së pari, do të ndihmojë shumë në uljen e ndotjes në Shkup, së dyti, do të ndryshojë sistemin e jetesës në vendbanimet periferike dhe së treti, do të sjellë një kulturë të përdorimit më të vogël të makinave dhe më shumë të trenit. Dhe më e rëndësishmja – këto janë projekte që i kanë qytetet më të mëdha evropiane. Ne po e shfrytëzojmë me zgjuarsi infrastrukturën ekzistuese që e kemi, vetëm po e përmirësojmë. Tashmë jemi në fazë të avancuar të linjës që shkon nga Zelenikova – Draçevë – Lisicë – Kisela Voda – Aerodrom deri te Stacioni i ri hekurudhor i Shkupit. Duhet të përfundojë deri në fund të qershorit, në mënyrë që nga 1 shtatori të funksionojë kjo linjë”, deklaroi Nikolloski.
Paralelisht me këtë, shton zëvendëskryeministri, po punohet në projektim me Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe në gjysmën e dytë të këtij viti do të shpallet tender edhe për dy linjat e tjera – nga Stacioni i ri hekurudhor përmes Butelit – Shkup Veri deri në Gjorçe Petrov, dhe linja tjetër nga Stacioni i ri hekurudhor përmes Autokomandës – Maxhari dhe përfundon në Ilinden.


