“Nuk ka asgjë sekret. Qeveria ka një qëndrim të qartë dhe të vendosur se nuk do të pranojë ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar”, tha zv. kryeministri dhe Ministri i Transportit i RMV-së, Aleksandar Nikolloski.
Nikolloski për “Sitel” tha se bllokada nga Sofja është politike dhe nuk ka të bëjë fare me progresin e reformave të vendit dhe se Maqedonia aktualisht po arrin rezultatet më të mira në aspektin e axhendës së reformave.
Duke iu referuar kritikave nga opozita për qëndrimin e Kryeministrit në Bruksel, Nikolloski i quajti ato “skandaloze”, duke shpjeguar se ishte një vizitë private dhe e drejta për pushime të shkurtra me familjen.
I pyetur se çfarë po ndodh në negociatat me Bullgarinë, Nikolloski deklaroi se gjërat janë siç i njohim ne, nga njëra anë, kemi një marrëveshje të trashëguar që qeveria e mëparshme e nënshkroi ashtu siç e nënshkroi, dhe problemi më i madh është se nënshkroi një marrëveshje që nuk mundi ta zbatonte, dhe nga ana tjetër, kemi një qëndrim shumë të qartë dhe të vendosur të OBRM-PDUKM-së dhe qeverisë aktuale se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar.



