Qeveria ne seancën e djeshme ka ndërmarrë hapat e para për realizimin e Marrëveshjes me Britaninë e Madhe dhe tashmë është formuar një Trup Koordinues i cili do të ndjekë zbatimin e Marrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Britanisë së Madhe, informoi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Siç thuhet në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Transportit, përveç zëvendëskryeministrit Nikolloski, anëtarë të Trupit Koordinues janë edhe ministrat e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Energjetikës, Burimeve Minerale dhe Minierave, Transformit Digjital dhe të Shëndetësisë, si dhe drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë – Infrastrukturë, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë dhe avokati i shtetit, ndërsa trupi ka të drejtë të ftojë dhe mysafirë të tjerë sipas nevojës, të cilët do të ndjekin realizimin e Marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Britanisë së Madhe.
Ministri Nikolloski shtoi se në seancën e djeshme të qeverisë është ndërmarrë edhe hapi i parë për nisjen e projektit për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10, nga kufiri me Greqinë deri në kufirin me Serbinë.
“Konkretisht, Qeveria me propozim të Ministrisë së Transportit mori Vendim, me të cilin ngarkohet Ministria e Financave që, në tregun ndërkombëtar financiar, përmes një procedure të hapur dhe transparente, të sigurojë fonde për zbatimin e këtij projekti. Gjatësia e hekurudhës pritet të jetë mbi 200 km, e njejta duhet të jetë me dy binarë, me shpejtësi deri në 160 km/h, ndërsa në trafikun e mallrave shpejtësia duhet të jetë të paktën 120km/h, ndërsa afati për realizim duhet të jetë diku rreth 5 vjet. Presim që gjatë muajve të verës të kemi më shumë detaje konkrete për financimin e projektit, dhe sigurisht të kalojmë në fazën e përzgjedhjes së kompanisë zbatuese, e cila do të fillojë këtë vjeshtë të punojë në terren. Do të punojmë në projekt të përbashkët, ku projektimi dhe zbatimi do të bëhen nga e njëjta kompani, dhe më së shumti do të zbatohet sipas rregullave të FIDIC-ut, ose sipas të ashtuquajturit FIDIC i verdhë ose sipas të ashtuquajturit FIDIC i ndërmjetëm”, deklaroi zëvendëskryeministri, thuhet në njoftim.