Një gjykatë britanike e ka obliguar qeverinë nigeriane që t’ia paguajë 9 miliardë dollarë një kompanie të vogël private për ndërtimin e impianteve të gazit natyror.
Kompania “P&ID” kishte arritur marrëveshje me qeverinë e Nigerisë në vitin 2010 për ta ndërtuar një impiant të gazit natyror, por marrëveshja ishte prishur dy vjet më vonë.
Më pas, kjo kompani e kishte paditur qeverinë për shkak të mungesës së gazit dhe mos-instalimit të tubave, të cilat kishte premtuar se do t’i ofronte. Kompanisë i ishte ofruar dëmshpërblim prej 6.6 miliardë dollarësh në vitin 2017, por tashmë gjykata i ka shtuar edhe 2.4 miliardë dollarë si pjesë e interesit.
Kompania kishte vendosur interes prej 1.2 milionë dollarësh në ditë si rezultat i dështimit të marrëveshjes, por ekipi ligjor i qeverisë nigeriane ka thënë se kjo shifër është e tepruar dhe dënim i rëndë.
Për më tepër, qeveria e Nigerisë tha se Gjykata Komerciale në Londër dhe gjykatat angleze në përgjithësi nuk kanë autoritet për të vendosur lidhur me këtë çështje, sepse marrëveshja është arritur sipas ligjeve të Nigerisë.
Autoritetet e Nigerisë kanë thënë se do të paraqesin ankesë ndaj këtij vendimi, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.



