Mëngjesin e sotëm është dëmtuar murali në të cilën ndodhen figura të shumëta historike dhe e cila është e vendosur në Sheshin Skënderbeu në Çair disa ditë më parë. Bëhet fjalë për hedhje të ngjyrës së zezë mbi imazhin e Nënës Tereze, e cila është e pikturuar në këtë murale. Nga Sektori për Punë të Brendshme thonë se akoma nuk dihet kryerësi i veprës dhe se po punohet për zbardhjen e rastit.
SPB Shkup
“Më datë 04.09 në orën 13 e 45 minuta në rrugën Filipi i Dytë, në sheshin Skënderbe, nga ana e një personi të panjohur është bërë spërkatja me ngjyrë të zezë e mozaikut, që është i pikturuar në shesh”
Nëna Tereze ose Shën Tereza e Kalkutës ka lindur në Shkup, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nëna Tereze themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende. Nëna Tereze është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta. Në vitin 1979 ajo u dekorua me Çmimin Nobel për Paqe. Gonxhe Bojaxhiu u shenjtërua zyrtarisht në Vatikan në vitin 2016, nga Papa Françesku. Ajnur Bafqari /SHENJA/

