Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk pret ndryshim në marrëdhëniet dhe atmosferën mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Sipas tij, atmosfera mes dy vendeve madje mund të përkeqësohet edhe më shumë, pasi, siç tha, në vend ende ekzistojnë struktura politike dhe shoqërore të gatshme të nënshtrohen para autoriteteve bullgare dhe të jenë “indi i butë” i politikës së jashtme maqedonase. “Derisa ekzistojnë struktura të tilla politike dhe forca shoqërore, unë nuk pres ndryshim në qëndrimin e fqinjit tonë lindor. Ne si qeveri jemi gjithmonë të gatshëm për bisedime bilaterale dhe përballje të argumenteve tona dhe, sigurisht, ato argumente që do të mbizotërojnë jemi të gatshëm t’i pranojmë, ashtu siç presim që pala tjetër t’i pranojë argumentet tona nëse ato mbizotërojnë”, deklaroi Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
I pyetur nëse pushteti po përgatitet për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, siç pretendon ditëve të fundit LSDM, Mickoski tha: “Disa pyetje as që meritojnë përgjigje, i tillë është edhe ky. Mendoj se përgjigjen për këtë pyetje e dhashë në pjesën hyrëse të fjalimit tim të sotëm”.
Në fjalimin hyrës, që e mbajti pas shërbesës solemne me rastin e 123-vjetorit të vdekjes së Goce Dellçev, kryeministri Mickoski tha se ende ekzistojnë vende anëtare të Bashkimit Evropian që nuk i respektojnë dhe nuk i zbatojnë vlerat e këtij revolucionari maqedonas. “Kemi vende të tilla që e mohojnë identitetin e figurës madhore maqedonase Goce Dellçev dhe identitetin shumë shekullor maqedonas. Në shekullin XXI, populli maqedonas ende përballet me këto sfida, me të cilat nuk do të duhej të përballej. Në vend që të luftojmë për një të ardhme të përbashkët dhe më të mirë, ne hapim çështje nga e kaluara, e disa prej tyre kanë rrënjë në Mesjetë. Ne si qeveri do të qëndrojmë në atë që përfaqëson rrënjën tonë, do të mbetemi në vijën e identitetit maqedonas. Kjo është vija e kuqe dhe nuk do të lëvizim asnjë milimetër”, deklaroi Mickoski pas shërbesës.
Nga ana tjetër, kryetari i LSDM, Venko Filipçe, deklaroi se nga Bullgaria nuk kanë dëgjuar mohim të identitetit maqedonas dhe se gjatë qeverisjes së socialdemokratëve nuk është ndërmarrë asnjë hap që do ta rrezikonte identitetin kombëtar. Ai theksoi se ndryshimet kushtetuese janë kushti kryesor për të ecur përpara, përfshirë edhe përfshirjen e bullgarëve, kroatëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë, duke shtuar se “asgjë nuk është e rrezikuar” me këtë hap. Ai akuzoi pushtetin se synon të kontrollojë sistemin e drejtësisë, duke vendosur gjyqtarë dhe prokurorë partiakë dhe duke politizuar institucionet, ndërsa kundërshton ardhjen e një prokurorie evropiane dhe krijimin e një sistemi të pavarur drejtësie. “Është e qartë pse kjo qeveri nuk dëshiron reforma të vërteta, sepse në atë rast do të duhej të mbanin përgjegjësi fillimisht njerëzit përreth tyre, e më pas edhe vetë ata”, deklaroi Filipçe.
Duke iu referuar deklaratave të fundit të Mickoskit për progres të mundshëm deri në qershor, Filipçe shprehu skepticizëm, duke pyetur se çfarë progresi mund të arrihet nga një qeveri që, sipas tij, për dy vite nuk ka bërë asgjë konkrete. (koha.mk)


