04 March
Kanë ngecur sërish punimet rreth ndërtimit të rrugës Sllupçan-Bellanoc-Stançiç që lidh Maqedoninë me Kosovën. Thuajse prej dy muajsh nuk është punuar fare për këtë projekt. Ekipi i televizionit Alsat vizitoi vendin ku duhet të kryhen punimet por nuk hasën në asnjë punëtor ose makineri punuese. Nga Komuna e Likovës u arsyetuan se punimet kanë ngecur prej 2 muajsh për shkak të motit të keq.
Punimet janë ndërprerë gati 2 muaj për shkak të kushteve atmosferike, por edhe për arsye subjektive dhe objektive në këtë drejtim, mirëpo me përmirësimin e motit dhe ngritjen e temperaturave si dhe në bazë të bisedave me kryerësin e punimeve të vazhdojmë me punimet që janë në përfundim e sipër – deklaroi Feim Selmani, inspektor i ndërtimtarisë në Komunën e Likovës.
Afati i radhës që jepet për përfundimin e këtij projekti është korriku i këtij viti.
Me urdhër të kreut të komunës janë të detyruar firma punuese që këto punime të përfundojnë në fillim të muajit korrik dhe të jetë funksionale për qytetarët – shtoi Feim Selmani.
Për realizimin e këtij projekti është angazhuar ndërmarrja ISO 2000 nga Bullgaria. Ndonëse punimet filluan në vitin 2013 ato assesi nuk po arrijnë në fazën finale. Afati i fundit që u shkel ishte dhjetori i vitit të kaluar.
Fatlum Aqifi