Ditën e sotme është vënë në prangat e policisë 28-vjeçari Endrin Varaku, i cili u kap duke lëvizur i armatosur me pistoletë. Burime zyrtare bëjnë me dije se i riu rezulton me precedent të rëndë kriminal që në moshë të mitur.
Varaku nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Në moshën 16-vjeçare, ai u arrestua për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, Adriatik Tota, ngjarje e ndodhur brenda ambienteve të shkollës profesionale “Beqir Çela” në Shkozet.
Krimi i rëndë ndodhi pas një konflikti mes dy të rinjve, i cili kishte nisur muaj më parë. Sipas hetimeve të kohës, përplasja fillestare kishte ndodhur në një autobus, ku Varaku pretendoi se ishte prekur me sup dhe më pas ishte ofenduar nga viktima. Që prej asaj dite, marrëdhënia mes tyre ishte tensionuar.
Në gusht të vitit 2013, konflikti arriti kulmin tragjik. Varaku kishte siguruar një armë automatike me dy karikatorë, të cilën deklaroi se e kishte gjetur pranë lumit Erzen dhe e kishte fshehur në ofiçinën ku zhvillonin praktikën mësimore. Ditën e ngjarjes, ai e mori armën, iu afrua Totës pas një debati verbal dhe e qëlloi për vdekje me dy plumba.
Ngjarja tronditi opinionin publik, pasi ndodhi brenda ambienteve të shkollës dhe gjatë orës së mësimit. Në atë kohë, u arrestua edhe mësuesi i praktikës, Thoma Llazari, me akuzën e “moskallëzimit të krimit”, pasi nuk kishte raportuar informacionin që dispononte, duke vështirësuar hetimet.
Arrestimi i sotëm rikthen në vëmendje një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në institucionet arsimore në vend, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për rrethanat e reja të kapjes së 28-vjeçarit.


